Dyshimet për helmimin nga uji, Ministria e Shëndetësisë furnizon me barna shtesë Kaçanikun e Hanin e Elezit

Pas dyshimeve për helmim të qytetarëve nga uji, Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar me barna dhe produkte medicinale QKMF-të e komunës së Hanit të Elezit dhe të Kaçanikut.

Gjatë datave 10 dhe 11 korrik më tepër se 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e Hanit të Elezit, si pasojë e çrregullimeve shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se  në bashkëpunim me Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, kanë bërë furnizimin me barna në QKMF-në, në Han të Elezit dhe të Kaçanikut me barna dhe  produkte medicinale.

“Nga SP Ferizaj për QKMF Kaçanik janë dhënë Ringer sol 500 copë; NaCl 500ml 700 copë; Kanilla 22G 1000 copë;Hyoscine amp. 120 copë.  Nga QKUK për QKMF Hani i Elezit, NaCl 500ml 500 copë; Hyoscine amp. 60 copë; Metoclopramide amp. 150 copë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ka thënë Ministria e Shëndetësisë, në lidhje me situatën e krijuar të gjitha komuna për rreth Hanit të Elezit, si Vitia dhe Ferizaji, janë në gjendje gatishëmërie për të ndihmuar komunën e Hanit të Elezit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet relevante janë duke e përcjellë gjendjen në komunën e Hanit të Elezit dhe në atë të Kacanikut, në mënyrë që t’ju ofrojmë shërbime sa më të duhura qytetarëve të këtyre vendeve, por edhe më gjerë”, thuhet në fund të njoftimit.

Të shtunën dhe të dielën në komunën e Hanit të Elezit rreth 100 qytetarë janë paraqitur në QKMF, nën dyshimin se janë helmuar nga uji i pijes. Qytetarët janë paraqitur me simptoma të vjelljes, barkqitjes dhe të temperaturës.

IKShPK-ja ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme janë marrë mostrat për analiza, ndërsa ka rekomanduar që uji para përdorimit, të vlohet.

Deklarohet Instituti i Shëndetësisë Publike pas dyshimit për helmim nga uji në Han të Elezit