Dyshimet për helmim të nxënëseve në Mitrovicë, AUV nis hulumtimin e rastit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka filluar hulumtimin e rastit pas marrjes se informatës në lidhje me dyshimin për helmim të disa nxënësve në Mitrovicë.

Në njoftimin e AUV është thënë se nxënësit janë shërbyer në një restorant, i cili është në një mbyllje të përkohshme.

AUV ka thënë se kanë inspektuar hapësirat e restorantit dhe shërbimet ushqimore ku edhe janë marrë 6 mostra.

“Restoranti është inspektuar në mënyrë të detajuar në të gjitha hapësirat e punës dhe shërbimit të ushqimit. Bashkë me zyrtarin mostrues nga  IKSHPK janë marrë 6 mostra të produkteve ushqimore dhe strisho nga hapësirat e ambientit të gatimit dhe mjeteve të kuzhinës”, është thënë në njoftimin e AUV.

Sipas AUV, restoranti do të jetë i mbyllur deri nxjerrjen e rezultateve laboratorike.

Sipas raporteve mjekësore, pacientët menjëherë pas marrjes se trajtimit kanë filluar të përmirësohen.

Tutje është thënë se AUV është duke e trajtuar me seriozitet të lartë rastin e ndodhur dhe në koordinim me autoritetet e tjera si, Spitali i Mitrovicës, Policia e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Dje është raportuar se 26 nxënës nga shkolla e fshatit Besi në komunën e Prishtinës dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në njërin prej restoranteve në Mitrovicë, teksa ishin në ekskursion shkollor.