Dyshimet për helmim, dy nxënës të një shkolle në Skenderaj kërkojnë tretman mjekësor

Dy nxënës të shkollës fillore “Azem Bejta” në Prekaz të Skenderajt janë dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Mjekësore në këtë komunë.

Simptomat e tyre sipas drejtorit të QKMF-së Agron Mehmeti, janë dhimbje koke, lodhje, plogështi.

Por sipas Mehmetit, në këtë sezonë, këto simptoma janë normale përshkak të temperaturave të larta.

Drejtori nuk ka anashkaluar mundësinë që të jetë helmim nga ushqimi, por shton se kjo duhet të konstatohet përmes analiza laboratorike.

“Fjala është për dy fëmijë të një shkolle, kanë ardhur me simptoma, dhimbje koke, lodhje, plogështi që janë simptoma të zakonshme në këto temperatura. Na për çdo verë kemi me javë të tëra fëmijë me ankesa të njëjta. Ndoshta është edhe naj helmim në ushqim, por na nuk mundemi me konstatu se nuk kemi analiza laboratorike”, tha Mehmeti për KALLXO.com

Ai shtoi se njëri nga fëmijët është liruar për në shtëpi ndërsa tjetri për në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.

“Njërin prej këtyre dy fëmijëve e kemi referu në Spitalin në Mitrovicë, në repartin e infektives ata e këqyrin a është helmim a jo. Tjetri është liru për në shtëpi, është mirë. Tre ose katër fëmijë të tjerë që na ka raportu drejtori i shkollës janë më simptoma të njëjta, mandej na ka thirr që janë mirë”, u shpreh ai.

Zëdhënësja e Spitalit Rajonal të Mitrovicës, Nita Mustafa ka thënë për KALLXO.com se nxënësi është kontrolluar dhe se nuk ka pasur simptoma të helmimit.

“Ka pasur vetëm marramendje, barkqitje nuk ka pausr, ka marrë një infuzion te na, edhe është liru”, tha ajo.

Për KALLXO.com është prononcuar edhe drejtori i shkollës “Azem Bejta”, Jashar Jashari.

Jashari tregoi se të dy nxënësit janë në të njëjtën klase. E së njëren nga nxënëset e ka dërguar vetë në QKMF.

Ai tha se njërës është alivanosur. E si shkak thotë se mund të jetë nxehtësia në klasa.

“Nxënësen e parë e kam dërgu vetë në QKMF, e ka marrë ndihmën e parë. Njërës i ka rënë si të fikët, e kam dërgu në spital e ka marr një infuzion, mandej u lajmëru edhe një nxënëse tjetër. Nuk e di për çka. Por sipas të gjitha gjasave, mund të jetë prej temperaturave se nëpër klasa shumë zheg. Se besoj që janë helmu”, tha drejtori Jashari për KALLXO.com