
Dyshimet për atentat ndaj Abdixhikut, LDK me kërkesë për institucionet e hetuesisë
Lidhja Demokratike e Kosovës ju ka bërë thirrje organeve kompetente, që të zhvillojnë hetime të pavarura dhe të ruajnë profesionalizmin në lidhje me atentatin ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe tre deputetëve të LDK-së.
“LDK-ja u bën thirrje organeve kompetente që, në përputhshmëri me seriozitetin e situatës, në të cilën cak potencial janë katër përfaqësues të qytetarëve të Kosovës, të zhvillojnë hetime të pavarura dhe të ruajnë profesionalizmin, si dhe diskrecionin lidhur me këtë proces hetimor”- thuhet në njoftim.
Më tej, LDK-ja ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë dhe qytetarët për përkrahjen e qetësinë e treguar deri më tani.
“Lidhja Demokratike e Kosovës falënderon gjithë qytetarët e Kosovës në përgjithësi dhe anëtarësinë e saj në veçanti për përkrahjen dhe qetësinë e treguar deri më tani lidhur me informimin për planifikimin e atentateve ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe tre deputetëve të LDK-së. Po ashtu LDK-ja falënderon partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë lidhur me këtë rast”- thuhet në komunikatë.
Të mërkurën, deputeti LDK-së, Kujtim Shala ka konfirmuar planin për atentat ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Burime të KALLXO.com, kanë bërë të ditur se i dyshuari për kërcënim ndaj deputetëve të LDK-së është shqiptar.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me rastin e paraqitur nga zyrtarë të kësaj partie politike.
Kërcënimet ndaj zyrtarëve të LDK-së, flet kryeprokurori i Prokurorisë Speciale