Dyshimet në menaxhimin e financave të Odës së Avokatëve

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” në pjesën e dytë u transmetuan dyshimet për keqpërdorimet dhe menaxhimin e financave të Odës së Avokatve të Kosovës.

Sonte, avokatë të ndryshëm kanë treguar se gjatë kohës kur ish-kryetari i OAK-ut Osman Havolli drejtoi ata, pati keqpërdorim e keqmenaxhim të parave të Odës.

 

Gjatë kuvendit të Odës, këshilli mbikëqyrës i  financave i Odës së Avokatëve paraqiti para delegatëve raportin financiar të menaxhimit të financave të Odës për vitin 2019.

Një nga avokatët e intervistuar nga Drejtësia në Kosovës Kadri Osaj, tha se gjatë përpilimit të këtij raporti, këshilli mbikëqyrës ka hasur në shumë parregullsi në menaxhimin e financave të cilat pretendon se janë bërë gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, shpenzime këto të cilat e tejkalojnë vlerën prej 21 mijë eurove, e për të cilat Osaj pretendon se Oda nuk ka pasur miratim të Këshillit Drejtues.

Gjetjet e avokatit Osaj ishin se ish-kryetari i Odës në një vizitë që ka bërë në Vienë, kishte marrë pjesë edhe në një ballo vallëzimi.

“Komisioni Mbikeqyrës i financave ka gjetur parregullësi te udhëtimet të cilat kanë ndodhur jashtë vendit. 21 mijë e 761 euro shpenzime të bëra në vitin 2019 janë bërë në kundërshtim me rregulloren e financave. Sipas nenit 20 të rregullores për menaxhimin e financave është paraparë që këto mjete që destinohen për udhëtime jashtë vendit të marrin miratim nga Këshilli Drejtues, kështu që ne nuk kemi gjetur asnjë miratim për këto udhëtime”, ka thën Osaj.

Tutje avokati Osaj ka treguar se për çdo udhëtim jashtë vendit i cili ka vlerë më të lartë se 3 mijë euro duhet të jetë me aprovim.

“Për çdo udhëtim zyrtar që bëhet jashtë vendit dhe kalon vlerën më shumë se 3 mijë euro duket pëlqimi paraprak i Këshillit Drejtues. Ne nuk kemi asnjë miratim sa i përket këtyre shpenzimeve të udhëtimeve jashtë vendit”, thotë tutje Osaj.

Shuma e përgjithshme e parave të shpenzuara nga buxheti i OAK-së pa një miratim paraprak nga Këshilli Drejtues e që bie në kundërshtim me rregulloren mbi menaxhimin e financave, sipas Osajt kap vlerën e mbi 30 mijë eurove.

Por lidhur me këto parregullsi të evidentuara nga raporti i këshillit mbikëqyrës, Osman Havolli për emisionin “Drejtësia në Kosovë” ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë dhe se e gjitha është bërë me qëllime tendencioze nga ana e avokatit Kadri Osaj. Një raport i tillë sipas Havollit bie në kundërshtim me auditimin e jashtëm në bazë të të cilit ka dalë që nuk ka pasur keqpërdorime financiare.

“Ne çdo herë kapemi në disa pozicione të ulëta që faktikisht ky nivel i diskutimit lë për të dëshiruar sepse në këto shpenzime hyjnë të gjithë avokatët por nënshkruesi i autorizimeve të këtyre shpenzimeve është kryetari i OAK-së. Në një mënyrë menaxhohen nga unë si kryetar i Odës por nuk lidhen vetëm shpenzimet e mia por edhe të avokatëve të tjerë. Të gjitha shpenzimet kanë kaluar dhe kalojnë dhe janë me vendime të mbuluara nga Këshilli Drejtues i OAK”, thotë Havolli.

Pakënaqësi lidhur me menaxhimin e buxhetit të OAK-së ka shfaqur edhe avokatja Albana Kelmendi.

Ajo për ‘Drejtësia në Kosovë’ ka thënë se për delegatët ka qenë shokuese gjetja e këshillit mbikëqyrës se Oda ka shpenzuar mbi 1500 euro vetëm në fotokopje, gjë e cila sipas avokates është absurde pasi që objekti i odës posedon fotokopje në çdo kat dhe është e paqartë se përse është shpenzuar një shumë kaq e lartë vetëm në fotokopje. Për këto shpenzime si dhe të tjera, avokatja tha se ish-kryetari nuk ka pasur miratimin e Këshillit Drejtues.

“Në këtë raport të Këshillit Mbikëqyrës një ndër keqpërdorimet që është bërë, për fotokopje ndërsa janë shpenzuar 1 mijë e 500 euro për fotokopje. Kjo për ne është shqetësuese sepse ne nuk e dijmë se për çka janë bërë këto fotokopje. Gjithashtu janë lidhur kontrata me këngëtarë e fotografë i cili ka kënduar në ditën e avokatisë. Kjo ka qenë edhe një çështje tjerët shqetësuese. Gjithmonë të flas në bazë të raportit, mbi 10 mijë euro janë hargjuar në ditën e avokatisë që Osman Havolli nuk e ka marrë miratimin e Këshillit Drejtues”, thotë Kelmendi.

Përkundër kritikave të disa avokatëve, vetë Osman Havolli është shprehur shumë krenar lidhur me udhëheqjen e Odës gjatë mandatit të tij si kryetar. Ai tha se nën udhëheqjen e tij Oda është ngritur në një nivel më të lartë vendor e ndërkombëtar.

“Veçoj ngritjen e OAK në nivelin më të lartë edhe atë vendore edhe atë ndërkombëtare. Kur flas në nivel ndërkombëtar OAK kemi mbërrit që ta kemi prezente në të gjitha takimet në SHBA e në jesën aziatike me delegatë të ndryshme që jep një notë të lartë. Përveç kësaj, OAK respektivisht unë jam emëruar si kryetar i Rrjetit të Avokatëve të Ballkanit që është një lloj dëshmie, dhe jam i lumtur që e kam ngritur OAK në nivelin ndërkombëtar”, ka thënë Havolli.