Policia/Ilustrim

Dyshimet ndaj policëve, e ulën gjobën ndaj një lokali në Prishtinë

8 zyrtarë policorë janë vënë në pranga në një aksion të Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë më 5 mars.

Bedri Januzi, Visar Shala, Vedat Fetahu, Valon Bajqinca, Rexhep Selimi, Millosh Kovaçeviq, Marigona Gashi dhe Donikë Mjaki po dyshohen për disa vepra që përfshijnë keqtrajtimit gjatë detyrës zyrtare, lëndim, falsifikim të dokumentit zyrtar, ushtrim ndikimi dhe vepra të tjera.

Sot Gjykata e Prishtinës ka vendosur që për 6 të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit ndërsa për të pandehurat Marigona Gashi dhe Donikë Mjaki u caktua arresti shtëpiak.

Të gjithë të pandehurit kanë mohuar pretendimet e Prokurorisë në këtë rast.

Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktim të paraburgimit që e ka siguruar KALLXO.com, të pandehurit Bedri Janazui dhe Visar Shala akuzohen se nuk e kanë dënuar një lokal që ka bërë kundërvajtje aq sa parashihet me ligj, duke ia ulur dënimin për 300 euro.

“Të pandehurit Bedri Januzi dhe Visar Shala, me datë 23.11.2019, në orën 00:19, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, i pandehuri Visar Shala, në mënyrë të drejtpërdrejtë ushtron ndikim te kolegu i tij Bedri Januzi, ku përmes telefonit kërkon që lokalit “X-X” të mos i shqiptohet tiketa për kundërvajtje në vlerë prej 500 euro, por t’i ulet në 200 euro, në këtë mënyrë, i pandehuri Bedri Januzi, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, ashtu që i shqipton tiketë për kundërvajtje me vlerë prej 200 euro, lokalit të cekur”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

Më poshtë mund të lexoni në detaje veprat për të cilat po dyshohen të gjithë policët e arrestuar:

Shpulla e sharje në stacion policor, provat e Prokurorisë për policët e arrestuar