Tensione në Mitrovicën Veriore një person dyshohet se votoi disa herë

Në njërën nga vendvotimet në Mitrovicën e Veriut, më saktësisht në shkollën “Sveti Sava” po dyshohet se një grua ka votuar tri herë, ndërsa ka lëvizur në një vendvotim tjetër për te votuar sërish.

Ngjarja ka ndodhur në vendvotimin me numër 3805B/08R.

Anëtarët e komisionit, Ritvan Retkaliu – LVV dhe Mentor Boja-PDK, të cilët po vëzhgojnë procesin zgjedhor, kanë njoftuar menjëherë ekipet e KQZ-së pasi që sipas anëtarëve të komisionit, kryetarja e këtij komisioni nuk u ka dhënë qasje në listën e votimit.

Zyrtarët e KQZ-së të thirrur nga ana e komisionerëve kanë arritur në vendin e ngjarjes ku edhe kanë kërkuar dëshmi, por e njëjta nuk është siguruar për shkak se siç thonë edhe anëtarët e komisionit për KALLXO.com, kryetarja e komisionit nuk ka lejuar që të bëhet ankesë dhe që anëtarët të kenë qasje në listën e votimit.