Foto: Instagram / Aleksandar Vucic

Dyshime se Millan Radojiçiq takoi eprorë të Policisë së Kosovës në Beograd

Policë të Kosovës mund të jenë ulur sot në një takim me Millan Radojiçiqin, njeriun e shpallur në kërkim nga Prokuroria e Kosovës.

Sipas mediave serbe, në takimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ku ishte i pranishëm edhe  Millan Radojiçiq, njeriu i kërkuar për korrupsion në Kosovë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga zinxhiri komandues i Policisë.

Mediumi serb PINK TV sot ka raportuar se në këtë takim mes serbëve të Kosovës dhe Vuçiqit, ndër të tjerë, kanë marrë pjesë edhe punonjës të institucioneve të Kosovës, përkatësisht gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe të zinxhirit komandues operativ të Policisë së Kosovës në veri.

Përmes një postimi Igor Simiq, deputet nga Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës, ka publikuar një fotografi.

“Takimi i përfaqësuesve të popullit serb nga Kosova me Presidentin Aleksandar Vuçiq, drejtorin Petar Petkoviq, për situatën në Kosovë dhe problemet me të cilat ballafaqohet populli ynë”, ka shkruar Simiq.

KALLXO.com ka tentuar t’i kontaktojë disa nga zyrtarët e Policisë të cilët kanë mundur të jenë në këtë takim mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Njëri nga personat në fotografi ka mbuluar me dorë fotografinë ndërsa sinjalizues të KALLXO.com kanë ngritur dyshime se ai është njëri nga eprorët e Policisë së Kosovës.

KALLXO.com kishte raportuar se si Millan Radojiçiq u kishte ikur “nga duart” policëve të Kosovës në Bërnjak, pasi ai po kërkohej në lidhje me rastin “Brezovica“.