Foto-ilustrim

Dyshime për parregullsi në konkursin për Auditor të Brendshëm në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë

Konkursi për pozitën ‘Zyrtar i Auditimit të Brendshëm’ në ndërmarrjes publike “Stacioni i Autobusëve” për herë të parë ishte anuluar nën arsyetimin që kandidatët nuk kishin plotësuar kriteret e kërkuara me konkurs.

Ndërsa në herën e dytë në konkursin e shpallur më datën 12 janar 2020 për këtë pozitë ishte zgjedhur Lorik Beqa, i cili sipas një vendimi të Inspektoratit të marrë më datën 25 nëntor të vitit 2020 nuk kishte plotësuar kriteret.

Inspektorati i Punës kishte marrë këtë vendim pas ankesës së kandidatit Herolind Lahu, i cili pretendonte se i kishte të gjitha kualifikimet për këtë pozitë, për dallim nga Lorik Beqa, i cili ishte ende në procedurë për pajisje me certifikatë si Auditor.

Inspektorati i Punës në vendimin e marrë kishte konstatuar se përzgjedhja e Beqajt në këtë pozitë është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike, konkretisht nenin 21.

Sipas këtij Neni për përzgjedhjen së personave për emërim si zyrtarë të NP-së, Bordi i Drejtorëve duhet të kryejë një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhet ekskluzivisht në bazë të meritës.

Poashtu personat që marrin poste në këto ndërmarrje duhet të jenë të kualifikuar varësisht nga pozita që emërohen dhe për këto këtë duhet ta siguroj Bordi i Drejtorëve.

“Zyrtari Kryesor Financiar dhe i Thesarit të posedojë diplomë universitare dhe përvojë të konsiderueshme profesionale nga fusha e financave dhe/ose kontabilitetit; (ii) Këshilltari i Përgjithshëm / Sekretari i Korporatës të posedojë diplomë universitare në ligj dhe përvojë të konsiderueshme profesionale nga fusha e qeverisjes korporative ose të drejtës së shoqërive tregtare; dhe (iii) Zyrtari për Auditim të Brendshëm të jetë person ekspert në kontabilitet”, thuhet në Ligj.

E në rastin e punësimit të Lorik Beqës, Inspektorati ka konstatuar se në bazë të dosjes që ndërmarrja e ka sjellë, Beqaj nuk është ekspert i certifikuar për kontabilitet.

Me këtë rast, Inspektorati ka obliguar ndërmarrjen që të anuloj vendimin për përzgjedhje të kandidatit duke dhënë kështu afat për ankesë prej 8 ditësh.

Fatmir Miftari, anëtar i Bordit të Drejtorëve dhe Kryesues i Komisionit për Auditim në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se kandidati Lorik Beqa ka qenë në proces të certifikimit për Auditor duke theksuar se ai i ka plotësuar kriteret.

“Konkursi në fjalë ka dështuar për herë të parë për shkak që njerëzit nuk i kanë plotësuar kriteret, në momentin kur është vendosur me u pranu Loriku përveç testimit me shkrim dhe vlerësimit që është bërë prej secilit anëtarë të komisionit, Loriku i ka plotësuar të gjitha kriteret, ndërsa si kriter ka qenë e preferueshme certifikimi për Auditor”, tha ai.

Miftari tutje ka njoftuar se kanë bërë ankesë tek organi i shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, sepse sipas tyre procesi në fjalë ka qenë transparent dhe personi i përzgjedhur ka plotësuar kriteret e konkursit.

“Ne e kemi kthyer një përgjigje zyrtare tek inspektorati, Loriku i ka plotësuar kriteret edhe me poenat në testin që e kemi formuar si Komision i Auditimit por edhe kriteret e tjerat të cilat janë të parashikuara me konkursin e hapur prej ndërmarrjes. Ai ka qenë në proces të certifikimit, tash datën e saktë nuk e di, mirëpo ai i ka plotësuar kriteret, dhe ne do të përfillim vendimin e inspektoratit”, tha ai.

Luan Hoti, kryeshef i ‘Stacionit të Autobusëve’ për KALLXO.com ka thënë që nuk ka qenë në dijeni që kandidati Lorik Beqa nuk i ka plotësuar kriteret.

“Çështja e zgjedhjes së tij nuk është kompetencë e kryeshefit ekzekutiv, është kompetencë e Komisionit të Auditimit, unë nuk kam informacion si ka ndodhur kjo. Ne i kemi marr dy vendime dy palë ankusese kanë qenë të cilët inspektorati i aprovuar ankesat, në lidhje me këtë e kam informuar kryetarin e Komisionit të Auditimit, kryesuesin e Bordit, mirëpo në lidhje me çfarë kanë bërë ata unë nuk jam i njoftuar”, ka thënë ai.

Tutje Hoti ka thënë që ende nuk është respektuar vendimi i Inspektoratit për anulimin e konkursit në fjalë.

“Deri në këtë moment sipas informacioneve të mia unë ende nuk kam marrë informacione zyrtare për anulimin e këtij vendimi”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Lorik Beqën, Auditor i Brendshëm në ndërmarrjen publike ‘Stacioni i Autobusëve’, i cili ka thënë se është certifikuar në dhjetor të vitit 2020.

“I kam përfunduar studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin administrim biznesi, drejtimi financiar, programi 4 vjeçar, jam auditor i brendshëm i certifikuar në SCAAK, jam certifikuar në vitin 2020, në muajin dhjetor”, tha ai.

Beqa ka mohuar të ketë lidhje me dikë nga komisioni ose me ndonjë zyrtar politik në Kosovë, duke insistuar se ka qenë i kualifikuar për këtë pozitë.

“Unë nuk jam informuar direkt sepse unë nuk e kam përzgjedhur vetën aty, nuk kam marr asnjë dokument. Mirëpo nuk dua të them se nuk jam në dijeni, në atë vendim nuk kam parë askund se kam bërë ndonjë shkelje. Për Auditor kam qenë në fazën e fundit të certifikimit në SCAAK për të cilin kanë qenë të informuar edhe Komisioni por edhe në të dy konkurset e fundit kanë qenë vetëm përparësi”, theksoi ai.

“Unë zotohem se në momentin që marrë ndonjë vendim për ta lëshuar zyrën do ta respektoj atë vendim”, shtoi ai.