Dyshime për sulm seksual, publikohet videoja e sulmit ndaj alpinistes Mrika Nikqi në Pejë (VIDEO)

Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar një video ku shihet duke u sulmuar nga një person në një rrugicë në qytetin e Pejës. Ajo ka treguar se sulmi ka ndodhur më 27 shtator në orët e mbrëmjes.

Sot, Prokuroria e Pejës ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar për sulm seksual. Pas identifikimit, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.

“Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me këtë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore” – thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka mësuar se i dyshuar në këtë rast është 25-vjeçari F.Beqiraj.

“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt” – ka shkruaj ajo, në Facebook. 

Mrikë Nikqi, është një alpiniste e re, e cila bashkë me të atin në 2019 realizoi me sukses misionin e ngjitjes në shtatë majat më të larta në shtatë kontinentet e botës. Ajo është vajza më e re në botë që ka ngjitur shtatë maja ende pa i mbushur 18 vjet.