Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dyshime për ngacmim seksual në një shkollë në kryeqytet, reagon ministrja Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbrie Nagavci ka reaguar pas raportimeve për dyshime të një rasti për ngacmim seksual brenda rrethojave të një shkolle fillore në Prishtinë.

Nagavci ka thënë se ende nuk kanë informacione zyrtare por ka premtuar se do të trajtohet me prioritet.

“Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet, edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njejtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente. Është shumë me rëndësi që në vazhdimësi të ketë bashkëpunim të plotë në mes të shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale e instucione tjera përgjegjëse. Të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë për edukim dhe në mënyrë që t’i eleminojmë dukuritë  negative nga shkollat dhe shoqëria jonë”, thuhet në reagimin e saj në Facebook.

“Meqë bëhet fjalë për fëmijë të mitur, i ftoj të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre”, ka deklaruar ministrja e Arsimit.

Policia e konfirmon se po merren me rastin e dyshimeve për ngacmim seksual në oborrin e një shkolle në Prishtinë

www.kallxo.com