Dyshime se dosja e Astrit Deharit është falsifikuar (Dokument)

Tri vite pas vdekjes së mistershme të ish- aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës, me anë të komenteve të tij ka treguar se pse ka pak mundësi që i njëjti të jetë vetëvrarë në qelinë ku po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Në rastin e z.Dehari, nëse e pranojmë hipotezën e vetëvrasjes, të dy metodat do të ishin përdorur në mënyrë sekuenciale, e para ka të bëjë me përdorimin e një objekti të mprehtë në pjesën e qafës dhe të kyçit të majtë dhe e dyta ka të bëjë me ngufatjen e llojit smithering me një shishe të plastikës. Megjithatë kjo hipotezë duket pak e mundshme për arsyet e më poshtme”, ishin komentet e institutit zviceran për vdekjen e Astrit Deharit.

E pas ardhjes së këtij raporti në Kosovë dhe pasi që i njëjti raport u bë publik nga ana e avokatit dhe familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi  u ngritën edhe më shumë dilema se çka saktësisht ka ndodhur ditën e 5 nëntorit të vitit 2016, ku Astrit Dehari u gjet i vdekur brenda qelisë së tij nga tre cimerët e tij.

KALLXO.com, ka siguruar dy raportet e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë të cilët kryen autopsinë e Astrit Deharit më 7 nëntor të vitit 2016.

Në dy raportet, te shkaqet dhe mekanizmat e vdekjes së Astrit Deharit, ani pse të njëjtë ka një dallim.

Një raport, i nënshkruar nga tre mjekë ligjore që kryen autopsinë e Astrit Deharit, Flamur Blakajt, Naim Halitit dhe Musa Gashit përmban edhe renditjen me numra të shkaqeve të vdekjes së Deharit e njëri raport nuk përmban.

Dallimi mes këtyre dy raporteve të njëjta por edhe të ndryshme në të njëjtën kohë është sepse, në raportin me numra, pas përfundimit të autopsisë, ish-Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren tani prokuror special, Sylë Hoxha kishte deklaruar para mediave se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje.

Këto konstatime ai i kishte nxjerrë nga raporti i IML-së në Kosovë me numra i cili thotë se “1. Vdekja e tani të ndjerit Astrit Dehari, ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga mbyllja e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti me konsistencë të fortë. 2 Mekanizmi i vdekjes mund të shpjegohet me “ndaljen reflektorë të punës së zemrës” mbase edhe i shoqëruar me ngacmimin autonom të pleksusit nervor laringal- spazëm. 3. Dëmtimet e përshkruara në pikën 1 dhe 2 (referuar raportit i cili është me numra para konstatimeve) me besueshmëri janë dëmtime të vetë shkaktuara “hezituese” të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme por të cilat nuk kanë çuar në shok hemorragjik dhe 4. Analizat toksologjike të kryera deri tani, si gjatë autopsisë ashtu edhe pas saj, rezultojnë negative me barna dhe droga”.

 

Në anën tjetër në raportin e IML-së por pa numra para konstatimeve për shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, lë të nënkuptohet se i njëjti ka vdekur si pasojë e dëmtimeve të jashtme që ka pësuar ai.

Pika 1 dhe 2 e përshkrimit të dëmtimeve të jashtme të Astrit Deharit thonë kështu:

“1. Në anën e djathtë të qafës rreth4 centimetra nën nofullën e poshtë dhe rreth 4 centimetra mbi klavikulën e djathtë, paraqiten gërvishtje lëkurore gjatësore pothuajse paralele me njëra tjetrën, në pozicion të pjerrët në raport me boshtin gjatësor të trupit me ngjyrë të kuqe në vjollcë, me gjatësi nga 7 deri në 9 centimetra. Këto gërvishtje ndodhen në formë të tufave me nga tri deri katër gërvishtje. Këto gërvishtje, bazuar në karakteristikat e tyre në besueshmëri janë të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të mprehtë me tek të ngushtë të cekët i cili ka vepruar me mekanizëm tangjencial të veprimit duke shkaktuar dëmtime sipërfaqësore lëkurore. 2. Në pjesën e poshtme të brendshme të parakrahut të dorës së majtë ndodhen tri gërvishtje në formë gjatësore, pothuajse paralele me njëra tjetrën, ku gërvishtja e mesme, në njërin skaj të saj paraqitet në formë dy cepeshe. Këto gërvishtje janë me ngjyrë të kuqe, me gjatësi 3 deri 5 centimetra. Këto gërvishtje me besueshmëri janë shkaktuar me mjet në veçori të ngjashme të mjetit të parashrkuar në pikën 1 ose ndonjë mjet të ngjashëm”.

Raporti i IML-së në Kosovë pa numra, Foto:KALLXO.com

Ish- aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari është gjetur  vdekur pasditen e 5 nëntorit të vitit 2016 në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Deklarata e parë për vdekjen e Astrit Deharit, kishte adhur nga ish- Komandanti i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi i cili kishte thënë se Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje duke përdorur medikamente.

Pas përfundimit të autopsisë për Astrit Deharin, Prokurori Sylë Hoxha kishte thënë se bazuar në raportin e Institutit Mjekësor Ligjor në Kosovë, Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje.

Por një gjë të tillë nuk e thotë, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, të cilët me anë të një raporti 45 faqesh, tregon arsyetimet se pse rasti i Astrit Deharit mund të konsiderohet edhe vrasje.

Raporti i ekspertizës nga Zvicra për vdekjen e Astrit Deharit në duart e Prokurorisë

Provat shkencore të zviceranëve që kontestojnë vetëvrasjen e Astrit Deharit

Si u gjet Astrit Dehari në qeli në momentet e fundit të jetës?