Dyshime për keqpërdorime në “Trepçë”, dorëzohen dosje në organet e hetuesisë

Besim Imeri, udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë, ka thënë se ka dyshime për korrupsion në “Trepçë”.

Në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, Imeri tha se kjo ndërmarrje nuk ndryshon shumë nga Telekomi e KEK-u.

Ai ka komentuar edhe ngjarjet e fundit në “Trepçë” ku u sulmuan dy zyrtarë të menaxhmentit nga disa persona brenda hapësirave të ndërmarrjes.

“Unë besoj që nuk është në pyetje terminali, ka interesa të tjera. Ne e kemi një model, në secilën ndërmarrje publike ka klane të interesit material. Besoj që edhe kjo është në “Trepçë”. Disa prej tyre janë dërguar edhe në hetuesi në Prishtinë mirëpo ka të bëjë me mbetje, minerale dhe kontrata që duket që janë të dyshimta”, tha ai.

“Çështja pak është acaruar, sidomos në “Trepçë”, kur ka dalë me një komunikatë bordi që një rast që ka të bëjë me miliona euro, me disa kontrata të peritit është dërguar në Krimet Ekonomike në Prishtinë, pastaj u acarua gjendja këtu. Ka të bëjë me menaxhmentin e kaluar”, deklaroi udhëheqësi i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë.

Ai ka dhënë detaje mbi disa kontrata të cilat kanë përfunduar në organet e hetuesisë.

“Kjo çka ka ndodhur në “Trepçë” fatkeqësisht ka kaluar në dhunë, por nuk është e ndryshme prej Telekomit, KEK-ut ose rastet e tjera, i njëjti mentalitet. Unë jam këtu se është vendi im, ky është mentalitet në shumë ndërmarrje”, tha ai.

“Ne kemi pasur informata që disa mbetje janë duke u shitur edhe kemi parë bazën ligjore se a kanë të drejtë. Kur kemi analizuar ka dalë që nuk ka bazë ligjore”, deklaroi Imeri.

Dyshime për keqpërdorime në këtë ndërmarrje ka ngritur edhe Bahri Hyseni, kryesues i bordit të “Trepçës”.

“Në Polici kanë shkuar dy kontrata, i kemi dorëzuar në hetuesi, që kanë qenë të lidhura më herët. Ato janë të lidhura që nga viti 2016 dhe janë vazhduar pa bazë ligjore. Vlerat financiare nuk janë shumë transparente. Gjetjet është vendosur që të shkojnë në Krime Ekonomike”, tha ai.

Dyshime të mëdha për keqpërdorime në ndërmarrjen Publike “Trepça Sh.A”, ishin ngritur edhe nga hulumtimet e KALLXO.com.

Në shkurt të vitit 2020 KALLXO.com kishte raportuar për dyshimet për konkursin e kurdisur në ndërmarrjen publike “Trepça”. Menjëherë pas transmetimit të emisionit Zyra Ligjore e Kallxo.com kishte dërguar informacione në prokurorinë e shtetit për dyshimet se ishte shkelë statusi i barabartë i qytetarëve në atë proces të konkurrimit.

Ky konkurs ishte anuluar përfundimisht në janar të këtij viti nga Inspektorati i Punës.

Dyshime të forta për parregullsi dhe keqpërdorime në këtë ndërmarrje ishin raportuar nga KALLXO.com edhe në mars të këtij viti.

Një hulumtim i shfaqur në emisionin “KALLXO Pernime”, kishte zbuluar se për vite me radhë ndërmarrja “Trepça”, ishte dëmtuar në procesin e shitjes pasi peshorja kishte matur më pak peshë se sa në të vërtetë kishte në një maune me minerale.

Hulumtimi kishte zbardhur se Peshorja, e cila gjendet në Stan Tërg të Mitrovicës, kishte matur diku rreth 340 kilogramë më pak të ngarkesës apo kthyer në vlerën monetaret diku rreth 500 dollarë amerikanë në një maune.

Ky hulumtim ishte dërguar në Prokurorinë e shtetit menjëherë pasi ishte bërë publik në emisionin “Kallxo Pernime”.

Përpos këtyre dy rasteve, hulumtimet e KALLXO.com kishin ngritur dyshime për keqpërdorime edhe në procesin e tenderëve në ndërmarrjen publike “Trepça Sh.A”.

Një emision i “Kallxo Pernime” kishte zbardhur mënyrën se si ndërmarrja në fjalë e kishte pezulluar procesin e tenderimit për dhënien në shfrytëzim të gurthyesit të Kishnicës, proces ky i cili ishte përshkruar me shumë probleme.

Dyshimet për keqpërdorime në këtë proces të tenderimit ishin raportuar në Prokurorin e Shtetit nga Zyra Ligjore e KALLXO.com gjatë muajit maj të këtij viti.