Dyshime për helmim nga uji, 47 banorë të fshatit Gorancë të Hanit të Elezit kërkojnë ndihmë mjekësore

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve të fundit janë paraqitur 34 raste në AMF-në e fshatit Gorancë, dhe 13 raste në QKMF-ën e Hani Elezit, nën dyshimet për helmim nga uji.

Të gjitha rastet, thuhet se ishin nga fshati Gorancë dhe kishin simptomatologji të njëjtë me: ethe, temperaturë, kokëdhembje, mundim, vjellje dhe barkqitje.

Nga banorët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nuk ka të hospitalizuar dhe nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes.

IKShPk ka njoftuar se për analiza fiziko-komike dhe bakteriologjike janë marrë mostra në fshatin Gorancë, tek rezervoari kryesor i cili futet me rënie të lirë në rrjetin shpërndarës të fshatit dhe në disa shtëpi private që furnizohen me ujë nga ujësjellësi lokal i fshatit, të cilat janë analizuar në Qendrën Laboratorike Testuese në IKSHPK-së.

Sipas tyre, nga aspekti mikrobiologjik në mostrën e ujit të marrë në fshatin Seqishtë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla, ndërsa në mostrën e ujit të marrë në fshatin Gorancë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale.

Nga mostrat e fecesit të rasteve simptomatike janë izoluar E.coli Enteroaggregative (EAEC) dhe Norovirus GI/GII.

IKSHPK tregon se ka dhënë rekomandimet përkatëse:

  1. Raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, ligji “Parandalimi dhe luftimi i sëmundjeve ngjitëse në Kosovë” (LNR: 02/L-109).
  2. Të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset tjera që kanë ujë të sigurtë.
  3. Te instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor
  4. Te përcjellet cilësia e ujit, të vazhdohet me mostrim për analiza laboratorike-bakteriologjike dhe vlera e Cl rezidual.
  5. Marrja e të gjitha masave për njoftim dhe vetëdijësim të qytetarëve për situatën e krijuar.
  6. Rekomandimi kryesor: Komuna pas përfundimit të instalimit të sistemit të klorizimit, vendosjes së orë-matëseve dhe sanimit të rezervuarit kryesor, të ia dorëzoj KRU “Bifurkacioni“-it në menaxhim.

Rreth 100 persona kërkojnë ndihmë mjekësore në Han të Elezit, dyshohet për helmim