Dyshime për helmim nga uji, 130 banorë të fshatit Gorancë të Hanit të Elezit kërkojnë ndihmë në QKMF

Që nga dita e djeshme, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Han të Elzit kanë kërkuar ndihmë rreth 130 banorë të fshatit Gorancë. Dyshimet e para janë se ata janë helmuar nga uji i pijes.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka tha për KALLXO.com se po presin që Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të vijë për t’i marrë mostrat.

“Është në fshatin Gorancë por detaje shumë nuk kemi për momentin derisa të vijë Instituti për me i marrë mostrat e ujit dhe me i bë analizat”, tha ajo.

“Qytetarët janë duke u trajtuar në QKMF aktualisht. Brenda 24 orëve, diku 130 pacientë kanë kërkuar ndihmë rreth 50 prej tyre me simptoma të njëjta kanë qenë, simptoma me vjellje, barkqitje”, deklaroi Kuka.

Dyshimet e para, sipas drejtoreshës, janë nga helmimi i ujit. Ajo tha se reshjet e fundit të shihet mund ta kenë ndotur ujin.

“Momentalisht jam në fshat, në vendngjarje me pa për afër gjendjen e pacientëve por edhe burimin e ujit se kah po vjen, sepse janë dy burime të ujit por me një rezervuar”, deklaroi drejtoresha e Shëndetësisë.

KALLXO.com provoi të kontaktoi edhe me zyrtarët në IKShPK, por të njëjtit nuk u përgjigjen.

Rreth 100 persona kërkojnë ndihmë mjekësore në Han të Elezit, dyshohet për helmim

www.kallxo.com