Ndërtimi i shtëpive në Mitrovicë të Veriut, 10.11.2023 | Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Dyshime për dallavere në ndërtimin e shtëpive në veri, MAPL hedh poshtë pretendimet e ankuesve
Shtëpi me çati të dëmtuara, pa dyer e dritare, të dëmtuara gjatë kohës së luftës, tashmë janë shndërruar në shtëpi të banueshme në Mitrovicë të Veriut. Për rindërtimin dhe renovimin e tyre, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 1 milion euro. Mirëpo, jo të gjithë banorët e asaj ane e kanë pasë fatin që t’u rregullohen shtëpitë e dëmtuara.
Disa banorë të Komunës së Leposaviqit pretendojnë se me gjithë kërkesat e vazhdueshme për renovimin e shtëpive, asnjë nga to nuk është plotësuar. Ka nga ta që thonë se janë të detyruar të banojnë me qera në Mitrovicë, e ka prej atyre që ankohen se ende banojnë në shtëpitë e dëmtuara.
Këta banorë pretendojnë se anëtarët e komisionit përgjegjës nuk kanë qenë asnjëherë në terren për të verifikuar se kush e ka të domosdoshme ndërtimin e shtëpisë.
“Tri herë kam apliku për me marrë shpinë në fshatin Bistricë. Mu ka bë një e padrejtë sa s’ta merr mendja. Këtu po shihet vendi dhe prona ku jam kall, ku jam djeg … Asnjë komision, jo veç të unë, po në pesë – gjashtë shpi nuk u shku me kqyrë a kanë nevojë për me verifiku, a kanë nevojë për sh’pi, a nuk kanë, a duhet me iu ndërtu a s’duhet”- thotë Sedat Aliu, banor i cili tregon për KALLXO.com shtëpinë e tij të djegur dhe të pabanueshme.
Edhe Vlora Behrami thotë për KALLXO.com se komisionerët nuk kanë qenë asnjëherë në terren, me gjithë kërkesat e vazhdueshme që ka adresuar bashkëshorti i saj, Blerimi.
“Po na hin bora e shiu m’rena… Burri dy herë ka apliku për me bo meremet shpinë, s’jena pranu asnjëherë. Po kanë thanë hajt se vina e këqyrim, edhe ma nuk erdhën me pa”- rrëfen ajo.
Në lidhje me këto pretendime KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Në përgjigjet e kësaj ministrie thuhet se personat e lartpërmendur, Sedat Aliu dhe Blerim Behrami, nuk kanë aplikuar fare në thirrjen e dytë për ndërtimin e shtëpive në komunat veriore.
Ankesën për mosndërtimin e shtëpisë në Bistricë të Leposaviqit e kishte edhe Refik Mustafa i cili potencoi se i është dashur për vite të tëra të banoi në Mitrovicë të Jugut me qera, teksa tokën e ka në këtë fshat të Leposaviqit. Me lot në sy thotë se mezi e pret ndërtimin e shtëpisë në vendlindjen e tij.
“Më falni se jam… (i mbushen sytë me lot). Po deri diku 17 vite kam banu me qera. Unë vetë krejt kam pagu. Gjithë unë i kam pagu. Edhe në Vushtrri, shtatë vjet i kam që kam banu. Krejt me dokumente i kam. Kështu që qeto tetë vitet e fundit e kam ba një zgjidhje me kredi”- tha ai për KALLXO.com.
Ndërsa Musa Muharremi i cili banon për vite të tëra në Mitrovicë të Jugut thekson se ka padrejtësi në përzgjedhjen e përfituesve të shtëpive.
“Qet herën e fundit që i kanë marr, kjo është një lloj skandali. P.sh. ka që i kanë marr prej një familje tri shpi, ka dy, ka që i kanë marr burrë e gru ka ni shpi. Unë për vete kurgjo s’po ankohna për kërkon pse e kanë marr, mirëpo për vete pse mua s’ma kanë qit. Shpi temën nuk kom për qeta edhe kam apliku”- thotë Muharremi.
Ndërsa këtë pretendim se u është ofruar shtëpi dy personave brenda një familje e kanë mohuar nga ministria.
“Ne, nuk kemi asnjë rast kur përfitues janë burrë dhe grua”- kanë thënë nga MAPL për KALLXO.com.
Tutje nga ministria thonë se banorët e lartpërmendur nuk kanë aplikuar siç është kërkuar.
“Refik Mustafa dhe Musa Muharremi- fleta poseduese nuk përkon me aplikuesit dhe nuk është e dëshmuar me akt noterial sic është kërkuar në thirrjen në fjalë”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së.
E pretendime të ngjashme sikur parafolësit i kishte edhe Bahri Aliu i cili thotë se ka zëra që thonë se banorët përfitues “u kanë dhënë të holla anëtarëve të komisionit” për t’i trajtuar me prioritet.
“Për çdo ndërtim që është ba mas luftës, unë kurrë s’kam përfitu kurgjo. Jo shpi por kurgjo absolut 0 [zero]. Fazën e fundit kam apliku qe tri herë. Komisioni nuk na kanë kontaktu kurrë neve. Dikush po i bën ka katër e pesë. Nuk e di arsyen çka është problemi i këtij komisioni që nuk del me i verifiku senet qysh janë. Këtu veç po dalin zana që duhet me dhanë pare me fitu shpinë”- tha Aliu.
Ndërsa sipas ministrisë, Bahri Aliu dhe një banor tjetër Behxhet Hetemi kanë aplikuar dhe janë në listën rezervë.
Lidhur me mosdaljet e komisionerëve në terren dhe akuzat e tjera të banorëve, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i kanë mohuar.
“Komisioni ka verifikuar në terren vetëm aplikuesit të cilët kanë kaluar kriteret e caktuara nga ministria. Lidhur me këto akuza banorët duhet ti drejtohen organeve kompetente, në bazë të dëshmimeve të cilat ata pretendojnë se i kanë. Lidhur me pretendimet e tyre se dikush ka dhënë të holla, ne do ti njoftojmë institucionet përkatëse për fillimin e hetimeve- thuhet në përgjigjet e ministrisë.
Nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në një përgjigje për KALLXO.com kanë thënë se nga 353 persona që kanë aplikuar për ndërtimin e shtëpive në komunat veriore, vetëm 200 nga at ai kanë plotësuar kriteret.
“Në këtë proces, kanë aplikuar 353 persona nga të cilët mbi 200 persona i kanë plotësuar kriteret, dhe të cilët janë vizituar nga komisioni. Para se të publikohet lista preliminare e përfituesve nga MAPL, është publikuar Marrëveshja në mes MAPL-së dhe Shoqatës Jetimat e Ballkanit, me përfaqësues z. Halil Kastrati, ku në atë marrëveshje thuhet se nga MAPL dhe Shoqata Jetimat e Ballkanit do të ndërtohen mbi 200 shtëpi, ku përfitues do të jenë potencialisht të gjithë ata të cilët kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kriteret e thirrjes”- ka shpjeguar MAPL.
Banorët të cilën kanë adresuar ankesën e tyre në KALLXO.com kanë thënë se të njëjtën e kanë adresuar edhe në ministri.
“Ne, nënshkruesit e mëposhtëm të Bistricës së Shalës, mbështesim ankesën formale lidhur me shpërndarjen e padrejtë të fondit për shtëpitë. Kërkojmë një hetim të menjëhershëm dhe masa korrigjuese. Më poshtë janë emrat dhe numrat tanë të identifikimit për reference”- thuhet në peticionin e banorëve drejtuar ministrisë.
Sipas MAPL-së, shqyrtimi i ankesave ka qenë transparent dhe i drejtë.
“Gjithashtu, ka pasur një afat ankese ku të gjithë ata të cilët nuk kanë përfituar kanë pasur të drejtë ankese. I gjithë procesi ka qenë transparent dhe i rregullt. Ju konfirmojmë se 107 shtëpi do të financohen nga buxheti i MAPL-së, (47 prej tyre në Komunën e Leposaviqit)”- përfundojnë ata.
https://www.facebook.com/kallxo/videos/1235711580887694