Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dyshime për dallavere me vota edhe mes kandidateve të LVV-së dhe LDK-së në një vendvotim në Gjilan

Në vendvotimin me numër 0401X/14R rinumërimi ka paraqitur dyshime për parregullsi të mëdha gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

Në këtë vendvotim ka fituar bindshëm Lëvizja Vetëvendosje – 303 vota, ndërsa e dyta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 57 vota, e pasuar nga PDK me 51 dhe AAK me 7 vota.

Votat të cilat kanë pasur më së shumti dallime në këtë vendvotim kanë qenë votat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në listën e kësaj partie ka pasur kandidatë të cilët në numërim janë dëmtuar deri në 94 vota ndërsa ka pasur të atillë që u janë shtuar deri në 90 vota edhe pse në realitet nuk i kanë pasur.

Më së shumti nga numërimi ishin dëmtuar kandidatët Arbresha Kryeziu, Arijeta Rexhepi, Arben Vitia dhe Shqipe Selimi.

Rinumërimi ka vënë në pah se Arbreshë Kryeziut nuk i ishin numëruar plot 94 vota, Arijeta Rexhepit 73 vota, Arben Vitisë 58 vota dhe Shqipe Selimit 10 vota.

Vota më pak sesa kishin në realitet sipas rinumërimit kishin kandidatët Hekuran Murati, Fitim Uka dhe Doarsa Kica Xhelili.

Tabela me votat e kandidatëve që morën më shumë vota në rinumërim sesa në numërim:

Kandidati Votat në numërim Votat në rinumërim Dallimi në vota
Arbreshë Kryeziu 2 96 +94
Arijeta Rexhepi 8 81 +73
Arben Vitia 7 65 +58
Shqipe Selimi 1 11 +10
Hekuran Murati 6 15 +9
Fitim Uka 9 18 +9
Doarsa Kica Xhelili 2 9 +7

Për dallim nga kandidatët që ishin dëmtuar nga numërimi i votave në këtë vendvotim, një pjese tjetër të kandidatëve u ishin shënuar më shumë vota sesa realisht kishin marrë.

Kandidatët që morën më shumë vota sesa realisht kanë pasur në kuti të votimit janë Arbër Rexhaj, Valon Ramadani, Donika Gërvalla dhe Gani Krasniqi.

Arbër Rexhaj ka marrë 90 vota më shumë sesa i ka pasur në kuti, Valon Ramadani 77, Donika Gërvalla 49 dhe Gani Krasniqi 18.

Tabela me kandidatët që morën më shumë vota në numërim sesa në rinumërim

Kandidati Votat në numërim Votat në rinumërim Dallimi në vota
Arber Rexhaj 92 2 -90
Valon Ramadani 80 3 -77
Donika Gërvalla 67 18 -49
Gani Krasniqi 18 0 -18
Liburn Aliu 11 6 -5

Dallime pati edhe në votat e Vjosa Osmanit dhe Glauk Konjufcës.

Vjosa Osmani në numërim kishte marrë 196 vota teksa në rinumërim 3 vota më pak sikurse edhe Konjufca të cilit rinumërimi ia hoqi 2 vota.

Dyshimet për parregullsi gjatë numërimit në këtë vendvotim shfaqen edhe te votat e kandidatëve të LDK-së.

Në rubrikën e LDK-së vërehet se komisioneret i kishin rënë vijë rubrikës së numërimit të votave dhe anash saj kishin shënuar vota të tjera.

Foto: Numërimi i votave të LDK-së

Dyshimet për mosnumërim në mënyrë të rregullt të votave u paraqitën pas shpalljes së rezultateve nga KQZ.

Kandidatë të disa partive politike pretenduan se nuk u ishin numëruar të gjitha votat të cilat sipas tyre i kishin marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

E për këto arsye PZAP ka urdhëruar rinumërimin e disa vendvotimeve në disa komuna të Kosovës.

Madje vendimi i fundit i PZAP-së e detyroi KQZ-në që të rinumëronte edhe votat me kusht dhe ato me postë për kandidatët e AAK-së pas dyshimeve për manipulim të votave.