Dyshime në vendosjen e kritereve në konkurset për drejtor të Baletit të Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në nëntor të vitit 2020 kishte shpallur konkurs  për zgjedhjen e drejtorit të Baletit të Kombëtar të Kosovës.

Por i njëjti në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve është anuluar nga MKRS me 26 janar 2021.

Për t’u bërë drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovë, në konkursin e fundit kanë aplikuar katër kandidatë, por vetëm dy prej tyre kanë plotësuar kriteret e parapara në bazë të konkursit.

Në bazë të ligjit, konkursi nuk mund të procedoj pa pasur të pakën tre kandidatë.

Kriteret e konkursit

Sipas disa prej kandidatëve të cilët kanë aplikuar për këtë pozitë, kriteret e këtij konkursi janë bërë qëllimisht për kandidat të caktuar.

Luljeta Braha, kandidate për Drejtor të Baletit të Kosovës në konkursin e fundit të shpallur nga MKRS, thotë se problemi qëndron te kriteret të cilat janë përcaktuar në konkurs.

“Kriteret po bëhen qëllimisht, ka mënyra më të mira për përzgjedhjen e kritereve. Unë i kam shtatë vite përvojë pune në arsim, dhe kjo i bie se unë nuk jam adekuate, nuk e di kush mundet me qenë më adekuate për këto lista”, thotë Braha.

Sipas saj, kriteri për përvojën e punës duhet të ndryshohet sepse për të pasur përvojë të punës duhet të ketë hapësirë për të punuar.

“Për me qenë drejtor i baletit duhet të kesh koreografinë, jo me qenë në muzik, unë kam koreografinë në bachelor dhe master, kam shtatë vite përvojë pune në arsim, dhe unë nuk jam adekuate për këtë pozitë?”, pyet Braha.

Ajo ka bërë të ditur për KALLXO.com se askush nuk e ka njoftuar se pse dhe kur është anuluar konkursi.

“Asnjë njoftim nuk kam pranuar nga Ministria e Kulturës”, thotë Braha.

Të njëjtin mendim për kriteret e këtij konkursi ka edhe kandidati Driton Saqipi, i cili sipas komisionit nuk i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë.

“Dallimi në mes kritereve të konkursit të Baletit të Kosovë dhe konkursit për Teatër Kombëtar dhe Filarmoni është se shembull te Filarmonia kërkohet me pas diplomë universitare në fushën e muzikës, te Teatri kërkohen diplomën në aktrim ose regji, e për Baletin Kombëtar e kanë vënë vetëm në fushën e artit, nuk e kanë specifikuar koreografinë”, ka thënë Saqipi për KALLXO.com.

Sipas tij, kandidatët të cilët janë të diplomuar në fushën e vallëzimit duhet të kenë përparësi në këtë konkurs.

“Universiteti që e kam master i koreografisë është në fushën e kërcimit, ne duhet të kemi përparësi pasi që konkursi është për balet, në këtë fushë”, ka thënë Saqipi.

Në bazë të kritereve të kërkuara nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, në konkursin i cili është anuluar, kërkohej që drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës të jetë me përgatitje profesionale universitare në fushën e artit dhe të kulturës, të ketë 7 vite përvojë pune profesionale në fushën e baletit, të ketë njohuri të mjaftueshme për veprimtarinë e institucionit, të ketë aftësi menaxheriale, dhe i njëjti të zgjedhet me mandat prej tri viteve me mundësi rizgjedhje.

Shpallja e konkursit nga MKRS

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit nëse do të ketë ndryshime të kritereve të konkursit për zgjedhjen e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Pozita e Drejtorit të Baletit Kombëtar pritet të procedohet së shpejti, kriteret do të jenë sipas përcaktimeve ligjore të përcaktuara nga ligji dhe nga Këshilli Drejtues”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Ndërsa për mos njoftimin e kandidatëve se konkursi është anuluar, MKRS ka thënë se njoftimi është publikuar në faqen e ministrisë.

“Sa i përket arsyes për anulimin e konkursit në herën e fundit është për shkak se nuk janë plotësuar kriteret për vazhdimin e tij. Anulimi i konkursit është bërë publik në ueb-faqen e MKRS-së, ku kanë qasje të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

BIRN do të vazhdoj të monitoroj konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Baletit të Kosovës.

Kreshnik Musolli është tani ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit të Kosovës.

Rrëzimi i vendimit për Sinan Kajtazin nga AKK

Para se Musolli të vijë në këtë pozitë, ishte shpallur konkursi për zgjedhjen e drejtorit të Baletit të Kosovës, në të cilin me datë 20 qershor 2019 kandidati më i suksesshëm ishte zgjedhur Sinan Kajtazi.

Por ky vendim ishte rrëzuar nga Agjencia Kundër Korrupsion, pasi që sipas tyre zgjedhjet e Kajtazit në këtë pozitë është konflikt interesi.

Vet Kajtazi kishte bërë publik vendimin e tij për dorëheqje nga pozita e drejtorit, pasi që kishte marrë opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila kishte konstatuar se emërimi i tij në pozitën e drejtorit të Baletit përbën konflikt interesi.

Kajtazi kishte bërë të ditur se pas kërkesës së tij dërguar AKK për të vlerësuar nëse zgjedhja e tij drejtori i BKK, përbën konflikt interesi, kjo agjenci në opinionin e saj që i ka kthyer balerinit Kajtazi ka konstatuar se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit, neni 18, pozita si drejtor i BKK do të përbënte ‘konflikt interesi’, meqë deri në janar të 2019 ai mbante pozitën e Kryetarit të Këshillit Drejtues të Baletit të Kosovës  dhe në periudhë prej 2 vitesh pas largimit nga Këshilli Drejtues, ai nuk ka të drejtë të marrë këtë post.

AKK rrëzon zgjedhjen e Sinan Kajtazit drejtor të Baletit Kombëtar