Dy zyrtarët e PDK-së përdorën deklaratën e cunguar të Kurtit që ia shtrembëronte qëndrimet

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari, gjatë një emisioni televiziv të hënën lëshoi një audio-deklaratë të kryeministrit Albin Kurti i cili dëgjohej duke thënë se “serbët kanë bërë më shumë krime por krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët”.

Deklarimet e supozuara të Kurtit i përdori gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës edhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha më 24 mars 2023.

“I kam parë në media, se thoni që krime kanë kryer edhe serbët, por krimet monstruoze të trafikimit i kanë kryer shqiptarët…” thoshte deputeti Berisha derisa kritikonte kryeministrin Albin Kurti.

Por, deklarimet e supozuara të Kurtit, janë prerë dhe hequr nga konteksti nga një fjalim i Kurtit tetë vite më parë në Kuvendin e Kosovës, ku flitej për formimin e Gjykatës Speciale.

“Pas kësaj Gjykate të veçantë, do të thuhet që, po serbët kanë bërë më shumë krime por krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët, korrjen dhe trafikimin e organeve. Me të vërtetë për nga sasia do të thuhet se serbët kanë bërë më shumë krime se Serbia ama krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët” –  deklaronte Kurti më 23 prill 2014 në Kuvend.

KALLXO.com kontaktoi me Nurellarin dhe Berishën për t’i pyetur nëse ata e dinin që fjalimin që citonin nuk ishte i plotë dhe ishte i nxjerr nga konteksti.

Të dy zyrtarët e PDK-së e mohuan se e dinin që kishte një fjalim më të gjatë të Kurtit i cili nuk thoshte që shqiptarët kanë kryer krime monstruoze.

“Unë nuk e dija që ishte krejt ndryshe, nuk e kam dyshuar sepse ka qenë një kohë që ai ka thënë gjithfarë gjërash të këqija, prandaj edhe se kam vënë në dyshim. Pastaj me tregoi edhe Milaimi (Zeka) që është pjesë e nxjerrë nga konteksti” – tha Adri Nurellari për KALLXO.com.

“Unë atë e kam nxjerr nga Facebook-u, në një faqe, e kam parë që shumë veta e bënin share” – sqaroi tutje anëtari i PDK-së.

Por, sipas Nurellarit, Kurti dhe anëtarët e partisë Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi kanë pasur qëndrime të njëjta. Sipas tij, ai këtë e ka lënë të nënkuptohej përmes deklarimeve publike.

“Albini ka thënë në vazhdimësi që, madje edhe së fundmi e ka bërë, që, liderët, Hashimi dhe Kadriu kanë bërë lëshime sepse i janë tutur Gjykatës Speciale, pra ka lënë të kuptohet se Gjykata ka arsye aty” – thotë ai.

“Postimin që ka shkruar ai, “Shko Hashim”, po përmend 20-30 herë shprehjen “Shko Hashim”, ai faktikisht atë qëndrim mbanë, prandaj nuk e kam vënë në dyshim…” – vlerëson Nurellari.

Në fund, ai thotë se po ta dinte që ishte nxjerr nga konteksti, nuk do ta publikonte atë.

Në anën tjetër, deputeti Hisen Berisha thotë se nuk e dinte që deklarata e Kurtit ishte prerë dhe montuar vetëm një pjesë ku flitet për krime që mund t’i kenë kryer shqiptarët.

Ai thotë se për këtë montazhë duhet veproj Prokuroria e Shtetit.

“Unë nuk i di detajet teknike, as Facebook-un e nuk e administroj, nuk merrem hiç, problemi është se ajo qarkullon nëpër rrjete sociale. Unë s’jam merr a ka qenë e montuar deklarata, unë as nuk e kuptoj as kur është i montuar ose kur s’është” – thotë Berisha.

“Kurrë nuk do ta bëja, unë i betuar me e thënë vetëm të vërtetën, nëse kjo dezinformatë është krijuar nga media dhe askush nuk e ka ndjekë këtë media, prokurori sipas detyrës zyrtare të vihet menjëherë në ndjekje të kësaj deklaratës sepse kjo është shumë e ndjeshme. Duhet ta marrin me urgjencë këtë montim, ta gjenë burimin se kah ka ardhur…” – deklaron ai.

Ndaj të Nurellarit dhe Berishës ka reaguar edhe zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.

“Qëllimisht është hequr pjesa ‘’PAS KRIJIMIT TË KËSAJ GJYKATE….’’, pra në atë që Kryeministri Kurti tregonte se çka do të ndodhë me rrëfimin për luftën çlirimtare nëse krijohet kjo Gjykatë” – tha ai në Facebook.

“Ironikisht por edhe paturpësisht, ata që thirrjen kryesore e kanë se “Historia nuk mund të rishkruhet”, shpërndajnë dhe krijojnë LAJME TË RREME me qëllim ndryshimin e historikut të formimit të Gjykatës Speciale” – deklaroi Manxhuka.