Arkiv/Ilustrim

Dy vite ballafaqimi me pandeminë, 3 mijë kosovarë të vdekur

Shifra e qytetarëve të vdekur nga coronavirusi në Kosovë sot ka arritur në tre mijë, përderisa brenda 24 orëve janë regjistruar dy raste të reja të të vdekurve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë njëri nga të vdekurit i përket grup moshës 20 deri 29 vjeç, ndërsa i vdekuri tjetër është mbi 80 vjeç.

Brenda 24 orëve në nivel vendi janë regjistruar 2 mijë e 243 raste pozitive me coronavirus nga 8 mijë e 416 testime të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

119 raste i përkasin moshës 0 deri në 9 vjeç, 513 raste pozitive janë të moshës 10 deri 19 vjeç, ndërsa 401 qytetarë janë të grup moshës 30 deri 39 vjeç.

Sa i përket infektimeve brenda 24 orëve në nivel vendi janë shënuar 2 mijë e 243 raste pozitive me SARS-CoV-2 përderisa për më tepër se një vit në nivel vendi janë regjistruar 183 mijë e 689 raste pozitive.

Tash e një kohë të gjatë kryeqyteti është komuna me më së shumti raste aktive me coronavirus, aktualisht në Prishtinë janë mbi 7 mijë raste aktive, duke lënë pas Mitrovicën me mbi 1,5 mijë raste.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike shumica e rasteve të reja, gjatë javëve të fundit janë të infektuara me “Omicron”.

Coronavirusi apo COVID-19 është infeksion ngjitëse i cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19