Ilustrim

Dy vëllezërit u rrahën me punëtorin e tyre, shkak dyshohet të jetë rroga

Në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, dje në mesditë një punëtor është sulmuar nga dy të dyshuar, të cilët janë vëllezër.

Burimet e KALLXO.com bëjnë me dije që viktima punonte për dy të dyshuarit, të cilët më pas u arrestuan nga Policia e Kosovës.

Në raportin 24-orësh policor është treguar se dje rreth orës 11:35 ka ndodhur sulmi fizik ndaj viktimës.

Këtij të fundit si pasoj e sulmit nga dy vëllezërit e dyshuar iu janë shkaktuar lëndime trupore.

Policia ka thënë se palët kanë pranuar tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe se pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të cilët kanë thënë se prokurori kujdestar ka iniciuar rastin në fjalë si “Lëndim i lehtë trupor”.

Tutje zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj ka thënë se në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për të sqaruar në plotni këtë ngjarje.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim për rastin edhe nga kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk është marr ende përgjigje.