Edon Ibrahimi (majtas) dhe Arlind Ibrahimi pasi dy vëllezërit fituan finalet e vashave dhe djemve me klubet e tyre të volejbollit më dy dhjetor në “Bill Clinton” në Ferizaj. (Foto: Familja Ibrahimi)
Dy vëllezër, kampionë me dy klube në të njëjtën ditë e në të njëjtin vend
Naze Sylejmani është rritur në një shtëpi ku vitrinat gjithnjë kanë shkëlqyer prej medaljeve e kupave të fituara prej familjes Ibrahimi që ka nxjerrë kampionë- si lojtarë, trajnerë e themelues klubesh të volejbollit. Por, ajo kurrë nuk do ta harrojë natën e 2 dhjetorit kur brenda pak orësh, do t’i gëzohej suksesit të saj si ndihmëstrajnere e vëllait të vogël, Edonit, dhe triumfit të vëllait të madh- Arlind Ibrahimit. Dytë, kryetrajnerë të dy klubeve të ndryshme ferizajase.
Edoni e Arlindi, të dielën mbrëma i fituan finalet e Kupës së Federatës në dy kategoritë në ndeshjet dramatike në palestrën e sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj. Derisa Edonit i qëndroi në krah derisa Fer Vollej i tyre i mposhti vashat e Skenderajt, në ethe ishte në tribuna kur vëllai tjetër, Arlindi, po u jepte instruksione djelmoshave të klubit Ferizaj. Në fund edhe Arlindi fitoi finalen ndaj Pejës.
“Unë personalisht kam besu se kemi me fitu përfundimisht të dy palët, sepse nëse ata dy e kanë pasur atë barrën e madhe si trajnerë, unë kam besu se pas neve ka me fitu edhe Lindi”, ka thënë Naze Sulejmani gjatë një bisede telefonike për KALLXO të mërkurën.
Me të njëjtin besim e kishte nisur ditën edhe Arlind Ibrahimi. Dhe këtë do t’ia thoshte Edonit teksa, si zakonisht do të pinin bashkë kafen e mëngjesit në ditën e finaleve të zhvilluara në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
“Një prej rikthimeve më të mëdha”
Derisa volejbollistet i nisin stërvitjet e së martës mbrëma në palestrën e shkollës së mesme, “Faik Konica”, Edon Ibrahimi shpalos edhe detaje të tjera të bashkëpunimit të vëllezërve gjatë zhvillimit të dy të finaleve. Gjatë finales së vajzave, Arlindi do ta ndihmonte vëllain dhe motrën me mesazhe telefoni për pikat e dobëta të Skenderajt, që atëherë i kishte fituar dy sete me radhë.
“Unë e kam ba atë çfarë ka thënë ai, edhe ndryshoi komplet rrjedha e lojës”, thekson Edoni. “Ka qenë një prej rikthimeve më të mëdha që mua më ka ra në volejboll me pa për shkak të qatij setit të katërt”, ka thënë ai, duke iu referuar disavantazhit të ekipit të tij 17 me 12 në kohën kur drenicaket po fitonin 2 me 1 me sete.
Fer Volej fitoi finalen dramatike 3 me 2. “Ka qenë lojë emocionale, dhe në fund i kam pa krejt lojtaret duke qajtë, duke përfshi edhe mu, dhe dikush tha: ‘A është titulli i parë?’ Thashë: ‘Jo, nuk është titulli i parë, por forma e lojës është emocionale’”.
Edon Ibrahimi dy herë i kishte humbur dy finale gjatë dy stinorëve me radhë edhe pse ekipi i tij ishte duke udhëhequr 2 me 0 në sete. Arlindi, i cili është bashkëthemelues dhe anëtar kryesie i Fer Vollejt, do të zbriste nga shkallët e tribunave për të festuar suksesin e ekipit të familjes të themeluar gjashtë vjet më parë. “Natyrisht se ka ardhur dhe jemi përqafu me Lindin e me Nazën. Është ndjenjë ekstremisht e mirë. Ndjenjë shumë e mirë me fitu. Por të betohem se e njëjta ka ndodhë me Pejën kur ishin duke lu këta”.
Vëllai ia kthen vëllait “borxhin” taktik
Edon Ibrahimi nxjerr celularin dhe tregon një notesë elektronik, ku tregon një analizë të lojës së Pejës. Këshillat dhe rekomandimet taktike ia kishte përcjell në celular Arlindit, të cilin e kishte rrëmbyer tensioni i ndeshjes, pasi pejanët po fitonin 2 me 1 në sete dhe ishin në epërsi edhe në të katërtin.
“Edhe ia kam çu në sekondë. Edhe i kam thanë: ‘Hej, veç hin, këqyrë çka t’kam çu’, edhe kur ta pyetsh kur të shkosh ta takosh, t’kallxon vetë”, thekson Edoni, duke treguar rekomandimet në ekran. Ferizaj fitoi 3 me 2 gjithashtu me kthim të madh.
Në anën tjetër të qytetit, në parketin e palestrës “Bill Clinton”, ku dy vëllezërit dhe motrat ngritën dy kupat me dy klubet e ndryshme, Arlindi konfirmon fjalët sugarit. Derisa volejbollistët e tij i ushtrojnë shërbimet me ndihmëstrajnerin Valmir Llabjani, Arlind Ibrahimi thotë se qysh në kafen e mëngjesit të së dielës ia kishte thënë Edonit se në mbrëmje bashkë do të shpalleshin kampionë. Në të njëjtën palestër. Këtë parandjenjë të fortë do t’ia tregonte ndihmëstrajnerit tjetër, Ridvan Grainca, pak pa nisur ndeshja.
“Edhe i thashë, veç njëherë kam qenë shumë i bindun që fitojmë, edhe Lubeteni na ka pasë mujtë 3 me 2 në finale të Kupës së Federatës. I thashë kam qasi qetësie dhe zero emocion”, thotë Arlindi. “Edhe i thashë se kupa është e jona. Por, i thashë, veç qatëherë e kam pasur atë qetësi ekstreme shpirtërore, ka ndodhë me hupë. Edhe Ridi, tha, ‘atë të parën mirë që ma kallxove, por këtë të dytën, hiç nuk u deshtë me ma kallxu’”, qeshet Arlindi.
Në hije të dhunës
Por tre trajnerët e familjes Ibrahimi – fëmijë të trajnerit të njohur dhe ish-kryetarit të FVK-së, Abedin Ibrahimi – shprehin keqardhje që festa e madhe e tifozëve ferizajas dhe familjes mbeti në hije të dhunës së ushtruar nga volejbollistët e Pejës, të cilët kaluan rrethojat dhe u ngjitën në njërën tribunë anësore, duke i rrahur disa tifozë tinejxherë pasi i akuzuan se i fyen dhe hodhën gjësende drejt tyre. Xhirimet janë bërë virale në media sociale.
Policia rajonale e Ferizajt ka konfirmuar për KALLXO se të dielën mbrëma dy lojtarë të Pejës janë shoqëruar në polici dhe se prokuroria ka urdhëruar mbajtjen e tyre 48 orë pas dëshmive të siguruara nga tifozët që kanë xhiruar skenat e pazakonshme të dhunës së lojtarëve ndaj shikuesve të mitur.
Megjithatë, fotografitë e dy vëllezërve dhe motrës me kupat para vetes – shkrepur pas kthimit të rendit në palestër – do të jenë kujtimi më i mirë për familjen Ibrahimi prej finales, ku megjithatë dhuna ia mori anën shkëlqimit të trofeve. Ibrahimët thonë se nuk ka të dhëna zyrtare, por besojnë se janë të parët trajnerë vëllezër që i kanë fituar dy finale me dy ekipe të ndryshme në të njëjtën ditë.
“Është krenari për familjen, sepse krejt jetën, prej fëmijërisë e kemi kalu në këtë sport, duke nisur prej babait, mua si volejbolliste, tash edhe si trajnere, dhe vëllezërve që bashkë kurorëzuam edhe këtë sukses”, ka thënë Naze Sylejmani. “Është diçka e jashtëzakonshme”.