Dy të vdekur nga aksidenti në rrugën Gjilan-Ferizaj

Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë mbetën të lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mbrëmë në rrugën Gjilan-Ferizaj.

Lajmin për  rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Hashani ka njoftuar se në aksidentin rrugor kanë qenë të përfshira dy vetura.

“Rreth orës 22:40 në rrugën e Ferizajit saktësisht ne fshatin Budrigë e Epërme policia e Kosovës është njoftu se ka ndodhur aksident rrugor me lëndime të renda”, ka thënë Hashani.

Sipas policisë dyshohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë.

“Dyshohet se deri te aksidenti te ketë ardhur atëherë kur drejtuesi i Veturës BMW me targa 06 shqiptar shtetas i Kosovës, dyshohet duke mos e përshtatë shpejtësinë kushteve të rrugës e humb kontrollin mbi automjetin dhe kalon në shiritin e kundër ku me anën e djathtë përplasët në veturën Seat-Leon me targa BU, drejtuar nga vozitsi shqiptar shtetas i Serbisë, veturë e cila ne atë moment lëvizte në drejtim të kundërt Ferizaj-Gjilan”, ka thënë Hashani

Si pasojë e këtij aksidenti humbën jetën dy pasagjerët e veturës BMW, kurse lëndime trupore morën vozitësit e të dy veturave.

Pas ndihmës në Qendrën Emergjente në Gjilan, të lënduarit janë transferuar në QKUK në Prishtinë.

Në vendin e ngjarjes ka qenë prezent përveq policisë edhe Prokurori i shtetit ku i njëjti ka urdhëruar që personat që kanë humbur jetën të dërgohen për obduksion IML në Prishtinë. Hetimet rreth këtij rasti janë duke i udhëhequr njësitet e trafikut rajonal./21Media