Dy të vdekur dhe më shumë se 40 të lënduar nga përplasja e trenave në Çeki

 

Dy persona kanë vdekur dhe mbi 40 tjerë janë lënduar, kur një tren i shpejtë i nisur nga Mynihu u përplas me një tren udhëtarësh të mërkurën në Republikën Çeke.

Katër persona me lëndime të rënda janë marrë me helikopter dhe shtatë të tjerëve iu nevojitet kirurgjia, ndërsa 31 persona tjerë u plagosën lehtë në aksidentin pranë qytetit perëndimor çek të Domazlice, tha shërbimi rajonal i shpëtimit, raporton Reuters.

“Treni Ex 351 e kaloi shenjën “Stop” dhe u përplas me një tren udhëtarësh”, tha ministri çek i Transportit, Karel Havlicek, duke iu referuar trenit ekspres, Mynih – Pragë.

Pamjet televizive në Televizionin Çek shfaqen kabinën e prishur të shoferit të trenit të shpejtë, si dhe pjesën e përparme të trenit lokal. Të dy trenat qëndruan mbi ose pranë shinave.

Agjencia e lajmeve, CTK, raportoi se shërbimet emergjente dërguan katër helikopterë pas aksidentit, që ndodhi pas orës 8 të mëngjesit afër fshatit Milavce, 140 kilometra në jugperëndim të Pragës.

Komandanti rajonal i zjarrfikësve Jaroslav Hrdlicka , tha për një televizion çek se ekipet e shpëtimit ende janë duke kërkuar një person të zhdukur në rrënoja.