Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dy të miturit që u mbytën në liqenin e Prushit në Tiranë janë vëllezër

Një tragjedi e dyfishtë ka ndodhur në familjen Taku pasditen e sotme, ku dy të miturit e familjes humbën jetën në liqenin e Prushit në Tiranë.

“Top Channel” bën të ditur se ashtu si çdo pasdite, një grup prej gjashtë fëmijësh kishin shkuar për tu larë në liqen, aty ku sfidonin temperaturat e larta të ditëve të fundit, por fatkeqësisht dy prej fëmijëve nuk dolën nga liqeni.

Pasi fëmijët e tjerë raportuan mungesën e 11 dhe 13-vjeçarit, u njoftuan menjëherë autoritetet përkatëse dhe vunë në kërkim të trupave. Fillimisht u gjet vetëm njëri nga trupat, por disa minuta më vonë u bë e mundur edhe gjetja e trupit tjetër.

Bëhet me dije se familja kishte dy djem dhe një vajzë dhe ishin në gjendje jo të mirë ekonomike.

Liqeni është më shumë se tre metra i thellë, por nuk ka pasur më parë asnjë ngjarje të kësaj natyre./TopChannel