Qendra Korrektuese në Lipjan - Foto: KALLXO.com

Dy të mitur nisin studimet universitare nga burgu i Lipjanit

Dy të mitur të burgosur në Qendrën Korrektuese në Lipjan (QKML) po ndjekin online studimet universitare.

QKML ka njoftuar se njëri po përcjell studeimet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik dhe tjetri në Universitetin AAB, në drejtimin Shkencat Kompjuterike.

Ky lloj arsimimi është organizuar në kuadër të programeve për trajtimin e të miturve , me qëllim të rehabilitimit dhe risocilaizimit për kthim sa më të suksesshëm në shoqëri dhe se të i kushtohet rëndësi arsimimit të tyre.

“Arsimimi në institucione korrektuese  është ekuivalent me arsimimin e përgjithshëm në Republikën e Kosovës, gjithë të burgosurit, të cilët mbarojnë me sukses vitin shkollorë, marrin dëftesat, certifikata dhe diplomat, të cilat nuk dallojnë nga ato që jepen për personat që vijojnë shkollimin në liri” shkruan në komunikatë.

Përveç organizimit të studimeve universitare kjo qendër mundëson edhe procesin mësimor në nivelin fillor dhe atë të mesëm, ku të gjithë të miturve iu mundësohet t’i vijojnë mësimet aty ku i kanë ndërprerë para se të vijnë në QKML.