Foto: KALLXO.com
Dy të dyshuarit për vrasjen në Ferizaj mbrohen në heshtje edhe para Gjykatës
Dy të dyshuarit për vrasjen e 89-vjeçarit në Bibaj të Ferizajt kanë vazhduar të mbrohen në heshtje edhe para Gjykatës në seancën e sotme më 18.08.2024.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve, F.Ramadani dhe J.M.
Mbrojtja e të akuzuarit kryesor, zyrtarit policor F. Ramadani ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë, ndërkaq vendimi nuk është marrë në seancë.
“Ne e bëmë kundërshtimin mbi pretendimet, mbi motivin e veprës penale, pasi qe ende nuk dihet. Kemi kundërshtuar masën, tash vendos Gjykata” – tha avokati i Ramadanit, Arben Isufi.
Isufi shtoi se mbrojtja ka vazhduar në heshtje. I pyetur për pretendimet e palës së tij, ai tha se nuk kanë informata dhe po presin zhvillimin e procedurës.
KALLXO.com mëson se i dyshuari i dytë, J.M. është djali i dajës së të dyshuarit kryesor dhe se viktima ishte burri i hallës së J.M., si dhe burri i tezës së F.Ramadanit.
Zyrtari policor F.R. dyshohet se ka shtënë me armë zyrtare automatike disa herë drejt viktimës 89-vjeçar, S.S.
Prokuroria pretendon se vrasja u krye në bashkëkryerje me të pandehurin tjeter, J.M., për motive të ulëta, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave, ku kishte qenë viktima.
Prokuroria thotë se sapo të dyshuarit vërejnë se S. Sadriu hyn në parkingun e sallës së dasmave, të dy ndalin automjetet e veta në vendin e ngjarjes, dhe J.M. me sqepar në dorë i është vërsulur viktimës, ndërsa F.R. me armë automatike ka shtënë disa herë në viktimën.
“Në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt më 17.08.2024.
Prokuroria ka vlerësuar se dy të dyshuarit në bashkëkryerje kryen veprën penale – vrasja e rëndë dhe kanë vënë në rrezik edhe personat e tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin.
KALLXO.com ka mësuar se i dyshuari i dytë është i afërm i F.Ramadanit dhe se të dy janë mbrojtur në heshtje para hetuesve të Policisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
IPK kishte njoftuar se F.Ramadani ishte vetëdorëzuar në stacionin policor bashkë me armën që dyshohet se është përdorur në këtë rast.
Shefi i ndërrimit të policisë në Ferizaj është suspenduar nga detyra pas ngjarjes tragjike që u shënua në Bibaj të Ferizajt mbrëmjen e 16.08.2024.
Ndonëse jo i përfshirë në rast, suspendimi erdhi pasi i njëjti nuk ka menaxhuar mirë zyrtarët policorë të tij.
Masa e suspendimit të shefit të ndërrimit nuk u bë nga Inspektorati Policor i Kosovës por nga Policia vet.
Dy të dyshuarit për vrasjen në Bibaj janë mbrojtur në heshtje