
Dy të dyshuar për vrasjen në Skenderaj - Prokuroria jep detaje për vrasjen
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka dhënë detaje për vrasjen që ndodhi në Skenderaj, më 12.02.2025.
Sipas Prokurorisë, rasti është kualifikuar si “vrasje e rëndë” dhe të dyshuar janë dy persona.
“Prokurori i Departamentit për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Për këtë rast që është kualifikuar si ‘vrasje e rëndë’ janë të dyshuar dy persona. Dihet identiteti i tyre, por ende nuk janë kapur nga Drejtësia. Kemi një person të vrarë dhe tash duhet të hetohen rrethanat, motivi dhe gjithçka që ka çuar në vrasje tragjike.” – tha për Kallxo.com, Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se personi i vrarë të mërkurën në Skenderaj është një burrë i moshës rreth 42 vjeçare.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për KALLXO.com se sot, më 12 shkurt 2025, rreth orës 13:50, Policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Sala e Hamit Jashari”, në Skenderaj.
Sipas informatave fillestare – thekson Zahiri – të shtënat kanë ndodhur brenda një lokali.
“ …ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit dhe plagëve të pësuara ka humbur jetën viktima mashkull i moshës, rreth 42 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës.” – tha ai.
Zyrtari nga Policia ka shtuar se rrjedha hetimore po zhvillohet në drejtim të identifikimit dhe arrestimit të një personi të dyshuar.