Dy të arrestuar për së paku 13 vjedhje në Prishtinë
25.8.2024 - 16:51
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për disa vjedhje në Prishtinë.
Sipas një njoftimi për media, njësiti i hetimeve të Drejtorisë së Kryeqytetit në Prishtinë ka kryer arrestimin e të dyshuarve.
Policia thotë se rastet kanë ndodhur në periudha të ndryshme, kryesisht në qendër të Prishtinës – në kafiteri – ku dyshohet se ankuesve u janë marrë çanta dore.
Personat e dyshuar me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që hetuesit po ndërmarrin veprimet e nevojshme procedurale për së paku 13 raste të vjedhjeve.