
Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Dy të arrestuar për dhunë në familje, njërit Policia i gjeti edhe armë zjarri
Dy persona janë arrestuar, për shkak të dyshimit për dhunë në familje, teksa rastet janë regjistruar në Podujevë dhe Pejë.
Sipas Policisë, një person në Podujevë është arrestuar pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës grua. Pas bastisjes, të njëjtit Policia i ka gjetur edhe një armë zjarri.
“Lidhur me rastin në koordinim me Prokurorin është bastisur shtëpia e të dyshuarit, me ç’rast është gjetur dhe konfiskuar: 1 armë zjarri me një karikator dhe 82 fishekë. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – bëri të ditur Policia.
Kurse në Pejë, dyshohet se personi i arrestuar në gjendje të dehur e ka sulmuar fizikisht një grua.
“Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe i është ofruar tretmani mjekësor. I dyshuari, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.” – njoftoi Policia.