Dy të akuzuarit për keqpërdorimin e rezultateve të votimit, njëri e pranon tjetri e mohon

Xhemil Avdullahu të akuzuar për veprën penale falsifikimi i rezultateve të votimit, është deklaruar i pafajshëm. Sot, në gjykatën e Gjakovës, para gjykatësit Drilon Haraçia, ai ka mohuar të kenë bërë veprime të tilla.

Ndryshe nga ai, i akuzuari për veprën e njëjtë penale, dhe i Shefqet Zogaj, e ka pranuar fajësinë.

Ndërkaq, Haraçia i ka dhënë 30 ditë kohë të akuzuarit Avdullahu për paraqitjen e kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të saj.

Sipas aktakuzës, në tetot të vitit 2017 në shkollën “Bekim Syka” në komunën e Rahovecit, pas mbylljes së vendvotimeve janë regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Xhemil Avdullahu, si kryesues i Komisionit në zgjedhjet lokale, pas numërimit të votimeve, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ka regjistruar në mënyrë jo të saktë 134 vota, prej tyre 67 vota të shtuara dhe 67 vota të hequra, duke i dëmtuar kështu kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike.

Pranuesi i fajësisë, Shefqet Zogaj, i akuzuar për të njëjtën vepër, tha se kishte rënë pre e manipulimeve dhe se asgjë nuk kishte ndodhur me dijen e tij.

Sipas aktakuzës, në qershor të vitit 2017, në fshatin Burim të komunës së Malishevës, pas mbylljes së vendvotimeve, Zogaj si kryesues i Komisionit Zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në shkollën “18 Prilli”, kishte regjistruar votat në mënyrë jo të saktë brenda një subjekti politik, duke hequr votat e disa kandidatëve dhe shtuar disa kandidatë tjerë, duke keqpërdorur 86 vota, nga to 66 vota të shtuara dhe 20 vota të hequra, veprime këto që i kanë dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike.

Ndaj Zogajt pritet që nesër të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Prokurori i rastit Ramiz Buzhala, kërkoi që ndaj dy të akuzuarve të shqiptohet dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të ndonjë pozite gjatë zgjedhjeve të organizuara nga KQZ-ja.