Avdullah Hoti - LDK

Dy skenaret e Avdullah Hotit pas rrëzimit të Qeverisë

Ish-zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se partitë politike në vend kanë dy opsione, formimin e qeverisë me shumicë parlamentare ose shkuarjen në zgjedhje.

Hoti ka thënë se partitë në vend duhet t’i përgjigjen thirrjës së Presidentit Hashim Thaçi për konsultime rreth formimit të qenërisë së re.

Ai, po ashtu ka komentuar edhe punën e qeverisë, të cilës i takonte deri pak ditë më parë, mbi menaxhimin e situatës me COVID-19.

“Kosova është me qeveri në detyrë, e cila duhet të kujdeset për menaxhimin e situatës emergjente shëndetësore nëpër të cilën po kalojmë. Dhe deri më tani ka bërë punë të mirë, duke përfillur këshillat e ekspertëve shëndetësorë të IKSHP, me përjashtim të mungesës të një koordinimi më të afërt me komunat nga kreu i Qeverisë dhe mbështetjes më të madhe për komunat, si dhe për policë, doganierë dhe të tjerë që janë në ballë të kësaj pandemie”, ka shkruar Avdullah Hoti në Facebook.

“Partitë politike duhet të kryejnë konsultimet e thirrura nga Presidenti, i cili është i obliguar të përfillë procedurat kushtetuese për themelimin e Qeverisë së re. Partitë politike në këto konsultime duhet të vendosin për njërin nga këto dy opsione. E para, nëse ka vullnet për të formuar një shumicë të re parlamentare, atëherë Kuvendit i propozohet përbërja e Qeverisë së re nga partitë politike që e përbëjnë këtë shumicë parlamentare. E dyta, nëse nuk ka vullnet për të formuar një shumicë të tillë parlamentare, atëherë partitë dakordohen për datën e zgjedhjeve, e cilat duhet të jetë në një kohë të përshtatshme pas tejkalimit të kësaj situate”, ka vlersuar ish-zv/kryeministri i parë i ekzekutivit kosovar.

“Rrugë tjetër nuk ka. Të gjithë të bëhemi të përgjegjshëm për respektimin e Kushtetutës dhe rendit demokratik”, thotë Hoti.

“Tri referenca janë bërë deri më tani për gjakderdhje. E para është bërë në Kuvend nga Kryeministri në detyrë, e dyta nga Tirana dhe e treta sot nga Mitrovica. Por, jam i bindur se kjo shoqëri ka maturitetin e nevojshëm për të ndaluar zërat e tillë, tash, menjëherë dhe përgjithmonë”, thuhet në fund të postimit të tij.

Qeveria e Kosovës u rrëzua më 25 mars me inicim të LDK-së me 82 vota për.