Dy sisteme arsimore nën një kulm - VIDEO

Shqiptarët dhe serbët në komunën e Obiliqit kanë lënë anash dallimet etnike dhe po shfrytëzojnë objektin e shkollës së fshatit për mësim.

Arsimi është njëra nga shtyllat e shoqërisë e cila lehtë mund të krijojë komunikim, por edhe ndasi midis komuniteteve dhe grupeve të shoqërisë.

Kosova ka një sistem arsimor, i cili i ndan komunitetet në shkolla dhe planprograme të veçanta.

Si rrjedhojë, nxënësit shqiptarë mësojnë me kurrikulë të veçantë ,e nxënësit serbë me kurrikulë tjetër.

Puna në planprograme të ndryshme  të cilat kanë ndasi, sidomos në tema të historisë, kulturës dhe gjuhës, në vazhdimësi ka krijuar ndasi dhe narrativë jo të vërtetë për njërin apo tjetrin komunitet.

Në mbarë vendin, shkollat ku mbahet mësimi në gjuhën serbe nuk kanë nxënës shqiptarë dhe anasjelltas. Si rrjedhojë, komunikimi në mes nxënësve është i rrallë dhe nuk krijon mundësi për ndërtimin e urave dhe projekteve.

Për t’i zgjidhur këto sfida, një model i veçantë ka nisur të zhvillohet në zonën e Obiliqit.

Në këtë komunë ku jetojnë shqiptarët e serbët, mësimi zhvillohet në një shkollë të përbashkët.

Ky është fshati që i ka dy emra. Për shqiptarët fshati është Palaj e për serbët Crkvena Vodica. Në këtë fshat ka një objekt të shkollës. Shkolla, gjithashtu, i mban dy emra. Për shqiptarët, shkolla mban emrin “Fazli Grajqevci” ndërsa për serbët “Dositej Obradovic”. Që të dy ishin poetë në të kaluarën.

Shkolla ka dizajnuar një komunikim në mes shqiptarëve dhe serbëve dhe për 22 vite ka arritur që të garantojë hapësirë për të gjitha komunitetet.

Drejtuesit e shkollës përmendin disa elemente, të cilat kanë ndikuar që të krijohet ambienti i përshtatshëm për të gjithë.

E para, menaxhmendi i shkollës ka vendosur të ndajë një zyrë të përbashkët. Pra, dy drejtorët kanë një zyrë dhe ndajnë një kompjuter pune.

“Me të thënë të drejton jo, nuk kemi probleme asnjëherë, kemi bashkëpunim të mirë. Ata e kanë ndërrimin e tyre paradite, ne e kemi pasdite” – thotë drejtoresha e shkollës, Mevlude Grajçevci.

Menaxhmenti ka vendosur që për të shmangur konfliktet e keqkuptimet të largojë nga hapësirat e shkollës mesazhet si fotografi apo vizatime që flasin për të kaluarën e kontestuar historike.

Përpos largimit të mesazheve nga e kaluara dhe ndarjes së hapësirave të përbashkëta, drejtuesit e shkollës, nxënësit dhe komuniteti kanë organizuar edhe aktivitet të përbashkëta në mes nxënësve.

“Zyrën e drejtorisë e kemi të përbashkët, sipas ndërrimeve të mësimit, por ne edhe bibliotekën dhe pjesën e administratës e kemi të përbashkët. Asnjëherë probleme nuk kemi pas” – thotë tutje drejtoresha e shkollës Grajçevci.

Mevlude Grajçevci, drejtoreshe e shkolles

Shkolla ka arritur të shndërrohet në model komunikimi dhe të aktiviteteve në mes komuniteteve, megjithatë avancimi dhe promovimi kërkon investime dhe mbështetje me investime për kushtet e mësimit për nxënësit.

“Po, ky objekt përdoret nga nxënësit në gjuhën serbe dhe kjo shkollë quhet ‘Dositej Obradovic’ e cila punon sipas planprogramit të Republikës së Serbisë, dhe në ndërrimin tjetër quhet shkolla fillore “Fazli Grajçevci”, që është shkollë shqiptare dhe që punon sipas planprogramit të Kosovës. Përndryshe, punojmë bashkë që nga viti 1999 dhe kjo ishte marrëveshja e asaj kohe e të gjithë të punësuarve në shkollë” – thotë Igor Maksimoviq, drejtor i shkollës nga komuniteti serb.

Igor Maksimoviq, drejtor i shkollës nga komuniteti serb.

Në këtë shkollë, sipas drejtorit, mësojnë 50 nxënës të komunitetit serb.

“Natyrisht gjithmonë mund të jetë më mirë, posaçërisht na duhet një kabinet i informatikës dhe një hapësirë që do të na shërbente për organizimin e ngjarjeve shkollore, manifestimeve, aktiviteteve, dhe të ngjashme. Për shumë njerëz kjo shkollë është shumë interesante, shumë sikurse ju, vijnë sepse vet tregimi është interesant, fakti që mësimi zhvillohet në këtë shkollë si në gjuhën serbe ashtu edhe në gjuhën shqipe. Shumë nga ta premtojnë dhe mandej kurrë nuk kthehen më, por në rregull, në thelb gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. Kushtet janë solide por mund të jenë edhe më të mira” – thotë ai.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Obiliqit, Sahit Zeqiri thotë se në këtë komunë në disa shkolla mësojnë nxënës të komuniteteve të ndryshme.

Ai thotë se kjo nuk ka sjellë asnjëherë probleme për mbarëvajtjen e mësimit.

“Procesi mësimor, të them të drejtën, nuk ka pasur asnjë ekses, as nga ana e mësimdhënësve as nga ana e nxënësve apo prindërve. Është një bashkëpunim në nivel të kënaqshëm, edhe në disiplinë, edhe në siguri edhe në mësime…” – thotë drejtori i DKA-së në Komunën e Obiliqit, Sahit Zeqiri.

Drejtori i Arsimit thotë që kur të bëhet fjalë për nxënësit, politika duhet lënë anash. Ai ka një thirrje për të gjithë ndërsa bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare, sipas drejtorit, ka lehtësuar bashkëjetesën mes komuniteteve në Obiliq.

Bashkëpunimin e shqiptarëve dhe serbeve që të zhvillojnë mësimin në të njëjtin objekt të shkollës në Obiliq po e vlerëson edhe Ivan Nikolic nga organizata jo-qeveritare në Gracanicë, CSD.

Ai thotë se ky model duhet të shërbejë edhe për komunat tjera.

Çfarëdo përpjekje që diçka të funksionojë në aspektin multi-etnik është një përpjekje e shkëlqyeshme. Shembulli i tillë në Obiliq është i mirë. Tani nuk e di se si kjo funksionon në realitet, nëse ata kanë pasur ndonjë problem ose nëse ka pasur ndonjë konflikt, por gjithsesi ky është një hap përpara në ofrimin e komuniteteve, drejt promovimit të shoqërisë multi-etnike, drejt promovimit të jetës së përbashkët, dhe një mënyrë që përfundimisht të harrohet konflikti dhe gjithçka tjetër” – thotë ai.

Por, Nikoliq ka kritika për mënyrën sesi politikat i qasjen bashkëpunimit ndëretnik. Ai thotë se qasje duhet të ndërrojnë si politikanët në Kosovë ashtu edhe ata në Serbi, këtë duhet ta bëjnë në të mirë të qytetarëve.