Dy shtatzëna në mesin e verifikuesve që dyshohet se u helmuan nga kutitë me vota të ardhura nga Serbia

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive sot janë lajmëruar 9 pacientë që dyshohet se janë helmuar nga kutitë e votimit që kanë ardhur nga Serbia në Qendrën e verifikimit të votave.

SHSKUK përmes një komunikate për media thekson, se sot në ora,11:58, në Klinikën Infektive, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ulët.

Sipas tyre, gjendja e pacienteve është stabile.

“Dy nga to kanë patur edhe vjellje.  Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile. Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfave brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese”, vijon komunikata.

Ekipi kujdestar i Klinikës Infektive thotë se kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore.

“Konziliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com, paraditen e sotme ka raportuar se në Qendrën e verifikimit të votave jane helmuar zyrtarë të angazhuar nga KQZ në procesin e verifikimit të votave të ardhura nga jashtë Kosovës., me të cilin rast është duke u marr edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

KQZ-ja diskuton për 4,500 zarfet me vota të diasporës