Dëmet që shkaktoi sulmi me granatë ndaj Komunës së Zveçanit, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Dy shpërthime me granatë dore brenda një jave në Zveçan, kryetari i komunës e zyrtarë të Qeverisë dënojnë aktin

Një granatë dore e llojit M-75 është hedhur në ndërtesën e Komunës së Zveçanit, më 29.11.2024, pas mesnatës.

Si pasojë e këtij shpërthimi, janë shkaktuar dëme në objektin e Komunës dhe në katër vetura që kanë qenë të parkuara në afërsi të objektit.

Përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për të lënduar.

KALLXO.com iu sjell pamje të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i mbrëmshëm.

Dëmet që shkaktoi sulmi me granatë ndaj Komunës së Zveçanit,
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Në lidhje më këtë incident është deklaruar kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci i cili e quajti “grup terrorist” personat që shkaktojnë incidente të kësaj natyre.

“Rreth orës 12:20 pas mesnate e kam marrë një telefonatë nga Policia e Kosovës dhe më kanë njoftu në pika të shkurta se çka ka ndodhur këtu, për një shpërthim nga një granatë dore. Një ekip me disa zyrtarë kemi ardhë dhe kemi shiku vendin nga afër. Ai grup terrorist mundemi me e quajt shumë thjesht, i cili është vazhdimisht në Komunën e Zveçanit duke provokuar dhe duke gjuajtur bomba. Kanë qenë policia, janë brenda objektit mirëpo për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar policë përveç disa dëmeve materiale”- tha Peci.

Ndonëse gjatë kësaj jave kanë ndodhur dy shpërthime, një të martën (26.11.2024) ku janë hedhur dy granate dore në stacionin policor të Zveçanit, e tjetri mbrëmë në Komunën e Zveçanit, Peci thot se pavarësisht kësaj, komunarët do ta vazhdojnë punën e tyre.

“Unë e kisha pasë një apel për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit le të vazhdojnë mos të kenë frikë dhe të vazhdojnë me kërkesat e tyre të cilat kanë qenë më herët. Na jemi të gatshëm gjithmonë. Sulmet që janë duke ndodhur pikërisht në Komunën e Zveçanit dhe në stacionin policor të Kosovës, asnjëherë nuk mundemi me u kthy mbrapa”- përfundoi i pari i Zveçanit.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani tha se ende nuk raportohet për persona të dyshimtë.

“Nuk mund të themi diçka për personat e dyshimtë, policia është duke i zhvilluar hetimet në lidhje me rastin, është rasti i dytë që ka pasur hedhje të granatës në drejtim të objektit qeveritar dhe stacionit policor. Ne jemi duke i vazhdu të gjitha pistat e hetimeve, kudo që hetimet na dërgojnë, ne do të shkojmë atje, por për momentin nuk e kemi ndonjë person të dyshimtë”- u shpreh Elshani.

Për nder të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28.11.2024 është mbajtur një program artistik i organizuar nga Komuna e Zveçanit në kullat e heroit “Isa Boletini”. Elshani tha se incidenti i mbrëmshëm mund të jetë indikator i këtij manifestimi.

“Mund të jetë si indikator ajo, por mbrëmë ka qenë 28 nëntori, parmbrëmë s’ka qenë, nesër nuk është 28 nëntori, kështu që ne jemi të përgatitur për çfarëdo date, çfarëdo dite që ec tutje. Jemi të kujdesshëm në veprimet tona në veri të vendit, jemi modest, jemi duke ec me mirësi në kryerjen e veprimeve tona, këto veçori tona nuk duhet me u pa si dobësi për arsye se Policia e Kosovës është shumë e ashpër në zbardhje të rastit dhe shumë e ashpër në luftim të personave me të kaluar kriminale ose kriminelëve qe bëjnë veprime të tilla kundrejt policëve tanë”- përfundoi ai.

Në lidhje me shpërthimin në ndërtesën e Komunës së Zveçanit është deklaruar para mediave Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,i cili ka thënë se kjo është shprehje e pafuqisë së personave që e kanë bërë këtë veprim.

“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, që nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta. Shprehje e pafuqisë së tyre, akte terrorizimi, që kanë qëllim të mbjellin frikë”- ka thënë Kurti.

Reagime kishte edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ministri Sveçla ka thënë se përgjatë këtyre katër viteve koha e pandëshkueshmerisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar.

“Sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshpërimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi. Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”- ka thënë Sveçla në postimin e tij në Facebook.

Sulmin e dënoi edhe ministri Elbert Krasniqi, duke thënë se këto nuk do të zbehin vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vendosur rendin dhe për të garantuar mirëqenie për të gjithë qytetarët.

“Mbrëmë grupe kriminale kanë sulmuar me granatë dore Komunën e Zveçanit. Dënoj fuqishëm sulmin kriminal e qyqar ndaj objektit të Komunës së Zveçanit. Komunat e Republikës së Kosovës janë funksionale dhe të gatshme për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, pa dallim”- u shpreh Krasniqi.