Shkolla Fillore "Pjeter Bogdani", Prishtine, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Dy shkolla në Vushtrri kalojnë në mësimin online

Shkollat fillore “Ali Kelmendi” dhe “Anton Zako-Çajupi” në Vushtrri kanë ndërprerë mësimin fizik në shkolla për ta vazhduar me mësimin në distancë, për shkak të infektimeve  me COVID-19.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Drejtori i Arsimit, në komunën e Vushtrrisë, Afrim Nimani.

“Dje raportet që i kam pranu të IKShKP-së me shkrim të testimeve që janë bërë më 16 tetor, në shkollën “Ali Kelmendi’ kanë dalur pozitivë nga 30 nxënës që janë testu kanë dalur 10 nxënës pozitiv dhe dy mësuese, gjithsej 12. Në shkollën “Andon Zako Çajupi”, 25 nxënës edhe një  mësuese që është testu, shtatë nxënës pozitiv dhe një mësuese kanë dalë pozitivë” , ka thënë ai.

Ai ka potencuar që janë duke i përcjellur edhe zhvillimet në shkollat e tjera të kësaj komune.

Mësimi për shkollat fillore dhe të mesme ka filluar më 14 shtator me tre skenarë.

Skenari A parasheh mësim me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla.

Skenari B ka të bëjë me rikthimin e pjesshëm (mësimi i kombinuar – prezencë dhe mësim në distancë). Në këtë alternativë, prioritet janë klasat 1 deri 5, ku parashihet që numri maksimal në klasë të jetë 10 nxënës, orari i shkurtuar dhe mësim plotësues online. Kurse skenari C parasheh mësimin nga distanca nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik.