Foto: KALLXO.com

Dy shkolla do ta përfaqësojnë Kosovën në gara rajonale për kodim

British Council në partneritet me MAShT-in, në kuadër të programit “Shkollat e shekullit 21”, ka organizuar sfidën e kodimit, ku kanë marrë pjesë 18 shkolla fillore të mesme të ulëta në Kosovë.

Nga 18 shkolla, tri janë zgjedhur fituese me projektet e tyre të kodimit, ku dy do ta përfaqësojnë Kosovën në garën rajonale për kodim.

Me këtë rast, ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott tha se programi “Shkollat e shekullit 21” është një projekt i rëndësishëm për të rinjtë e Kosovës.

“Shkollat e shekullit 21 është  një program shumë i rëndësishëm sepse ne sepse bashku po punojmë për të krijuar një ambient që nxënësit të përfshihen për zhvillimin e aftësive te tyre në mendim kritik dhe kodim”, tha Abbott.

Ai shtoi se këto aftësi ju duhen të rinjve për punësim në të ardhmen.

Kurse, drejtori i British Council në Kosovë, Angus Bjarnason tha se ky projekt ju ndihmon nxënësve t’i zhvillojnë aftësitë e tyre për të ardhmen.

“Kjo është një sfidë me të cilët ballafaqohen edhe punojmë se bashku që të zhvillohen aftësitë e tyre për të ardhmen. Kur folni me punëdhënësit tuaj sot ajo çka kërkojnë është të zhvilloni aftësitë tuaja. Kjo është treguar edhe sot në këto projekte dhe me punë shumë të mire ekipore dhe kreativitet shumë i madh”, tha ai.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi është shprehur i kënaqur me projektet e nxënësve të Kosovës.

“Ajo çka është vërtetuar në këtë program shihet qartë se nxënësit me projektet e tyre po përvetësojnë aftësit e tyre në mendim kritik dhe kodim”, tha Bytyqi.

Fitues të çmimeve ishin:

Vendin e parë; Shkolla “Bajram Curri”, Shtime;

Vendin e dytë;  Shkolla “Hasan Prishtina”, Prishtinë;

Vendin e tretë;  Shkolla “Emin Duraku”, Shtime.

Programi “Shkollat e shekullit 21” është një program edukativ, në vlerë prej 10 milion funtave, i cili është dizajnuar nga British Council dhe është financuar nga Qeveria e Britanisë.