(Arkiv) Shënimi i Vidovdanit në Gazimestan, Foto: Atdhe Mulla

Dy serbë shoqërohen në Polici pas provokimeve të përsëritura gjatë manifestimit në Gazimestan

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona që dyshohet që kanë qenë nën ndikimin e alkoolit janë shoqëruar në Polici pas provokimeve të përsëritura gjatë manifestimit në Gazimestan.

“Sot, më 28.06.2020, pak para orës 14:00, gjatë manifestimit në Gazimestan, dy persona (dyshohet nën ndikim të alkoolit), kanë bërë disa provokime të përsëritura”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se edhe përkundër vërejtjeve të dhëna nga Policia, të njëjtit kanë vazhduar me provokime, dhe zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin veprime për t’i ndaluar provokimet dhe për t’i zhvendosur nga masa.

“Të njëjtit pastaj janë liruar”, përfundon njoftimi.

Si çdo 28 qershor, që nga viti 1989, serbët mblidhen në këtë vend për ta kujtuar përvjetorin e Betejës së Kosovës, një përleshje e cila solli përballë koalicionin e luftëtarëve ballkanikë kundër Perandorisë Osmane.

Në vitin 1989, Sllobodan Millosheviq mblodhi në këtë fushë qindra-mijëra serbë për ta nisur synimin e tij për krijimin e Serbisë së Madhe.