Rruga 'Rexhep Dedia', Mitrovicë e Jugut | Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com

Dy rrugë në lagjen ‘Ilirida’ në Mitrovicë të Jugut ‘të harruara’ për vite të tëra - VIDEO

Dy rrugë kryesore të lagjes “Ilirida” në Mitrovicë të Jugut kanë mbetur të paasfaltuara për vite të tëra.

Banorët e rrugëve “Rexhep Dedia” dhe “Nuredin Hajzeri” ankohen për vështirësitë për qarkullim, ndërsa komuna zotohet se në fillim të vitit 2025 pritet të nisin procedurat për rregullimin e infrastrukturës.

Gropat, pluhuri, balta janë pjesë e përditshmërisë së banorëve të zonës.

Banori i lagjes, Vocë Voca renditë problemet me të cilat ballafaqohen.

“Kjo gjendje e rrugës është katastrofë, krejt e pakalueshme, e mos të flasim për mungesën e ujit që ndërpritet çdo ditë”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Për situatën ka folur edhe një tjetër banor i rrugës “Rexhep Dedia”.

“Vallahin po e shihni vetë, probleme katastrofë, kqyre sa gropa është këtu një shi me ra krejt ujë mbushet kjo pjesë, jo veç te shpija jem po te krejt”- tha Mahmut Istrefi.

Rruga ‘Rexhep Dedia’, Mitrovicë e Jugut | Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com

“Badihava hajt se vijmë sot hajt sot po sen hiç, a beson na i kan ngjitë do drita jena gzu qaq shumë sa sdi, po a e din sa na i kanë lanë dy javë edhe i kanë nalë menjëherë”-thotë tutje Istrefi teksa tregon nëse komuna është interesuar për rregullimin e rrugës.

Ai shton se janë detyruar që vetë të ndërhyjnë në rrugë.

“Po na qitu me kojshi i kena qitë do gurë i kena mbulu gropat, pak me ia lehtësu vetes kalimin gjatë kësaj rruge. Kjo gjendje e rrugës është që gati 30 vite”-shtoi ai.

Se ballafaqohem me këtë gjendje për vite të tëra e thotë edhe banorja tjetër, Marigona Istrefi.

“Kjo gjendje është që shumë vite po zakonisht na mundohemi me mbuluar me zallë sado pak me ia lehtësu vetes si banorë të kësaj lagje. Gjendja me pluhur që bëhet në këtë pjesë të rrugës është kthyer pak shqetësuese edhe për gjendjen shëndetësore”- tha ajo për KALLXO.com.

Në kushte anonimiteti me situatë të njëjtë thanë se ballafaqohen edhe banorët  e rrugës “Nuredin Hajzeri”.

Rruga ‘Nuredin Hajzeri’ Mitrovicë e Jugut | Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com

Në anën tjetër, nga Komuna e Mitrovicës së Jugut thonë se janë në dijeni që rrugët nuk janë trajtuar asnjëherë.

“Rrugët ‘Rexhep Dedia’ dhe ‘Nuredin Hajzeri’ që gjenden në lagjen ‘Ilirida’, janë në këtë gjendje që nga fillimi të cilat janë të pa trajtuara dhe të paasfaltuara, ku bëhet fjalë për më shumë se dy dekada e që në këto rrugë nuk është intervenuar asnjëherë”- ka thënë për KALLXO.com, drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në këtë komunë, Granit Tmava.

Tmava tha me planifikimin e buxhetit është paraparë që të fillohet edhe rregullimi i këtyre rrugëve.

“Me planifikimin e buxhetit është planifikuar edhe trajtimi i këtyre rrugëve për të cilat po flasim, besoj që me fillimin e vitit të ri (2025) mund të furnizohemi me kontratë, ndërsa buxheti është miratuar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës”-tha theksoi ai.

I pyetur se kur pritet të fillojnë punimet dhe se cili është afati kohor i përfundimit të tyre, ai th se “priten të fillojnë në fillim të vitit të ri 2025, ndërsa do të përfundojnë në një afat të shpejtë kohor.”