“Ne po e marrim natën”, kanë thënë protestueset. Foto: Jeet Snagupta - BBC

Dy raste të reja dhunimesh e vrasjesh tronditin Indinë

Janë intensifikuar protestat në Indi pasi një grup banditësh vandalizuan një spital kur një mjeke praktikante u dhunua për vdekje në shtetin e Bengalit Perëndimor në Indi, raporton BBC.

Spitali u sulmua të mërkurën (14.08.2024) gjatë marshit të madh “Riktheje Natën”, të mbajtur në Kalkutë në shenjë proteste kundër krimit brutal.

Protesta të mëdha janë mbajtur edhe në shumë qytete tjera, si Delhi, Hyderabad, Munbai dhe Pune.

Shoqata e Mjekësve e Indisë (IMA), grupimi më i madh i mjekëve në këtë shtet ka shpallur grevë kombëtare, të shtunën (17.08.2024), duke bërë të ditur se pacientët do t’u ofrohen vetëm shërbimet emergjente.

Shoqatat e mjekëve në qytetet tjera dhe partitë politike në Bengalin Perëndimor gjithashtu planifikojnë marshe të premten (16.08.2024) dhe në fundjavë për të protestuar kundër sulmit.

Dhjetëra e mijëra gra në mbarë shtetin kanë marrë pjesë në marshin ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes (14.08.2024-15.08.2024) në mesnatë në prag të festës së përvjetorit të Ditës së Pavarësisë. Marshueset kanë kërkuar “pavarësi për të jetuar në liri dhe pa frikë”.

Megjithëse protestat ishin kryesisht paqësore, përleshje shpërthyen ndërmjet policisë dhe një grupi të vogël njerëzish të paidentifikuar, të cilët sulmuan spitalin RG Kar – vendin e krimit – dhe shkatërruan departamentin e emergjencave. Dëshmitarët kanë thënë për BBC-në se disa mjekë dhe infermiere janë lënduar gjatë sulmit. Janë shkatërruar edhe disa makina policie në kaosin e pastajmë, derisa policia u detyrua të përdorte gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Dhunimi dhe vrasja e mjekes 31-vjeçare ka tronditur vendin. Trupi i saj gjysmë i zhveshur me lëndime të rënda ishte gjetur në një sallë ligjëratash javën e kaluar në spital në Kalkutë. Një vullnetar që po punonte në spital e ka kryer krimin. I dyshuari është arrestuar.

Prej atëherë edhe dy incidente dhunimesh kanë rrokur ballinat e mediave të Indisë. Në shtetin verior Utarkhand, një infermiere dyshohet se ishte dhunuar dhe vrarë gjatë kohës kur po kthehej nga puna. Ajo po mungonte prej korrikut, por trupi i është gjetur javën e kaluar. Policia e ka arrestuar një të dyshuar.

Ndërkohë gjashtë persona janë arrestuar në shtetin verior Bihar për dhunimin dhe vrasjen në grup të një gjashtëvjeçare dalite. Trupi i saj i gjymtuar u gjet në një pellg në një fshat në distriktin Muzaffarpur të martën në mëngjes./BCC

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com