Dy raste të plumbave qorr, njëri dyshohet se goditi në bërryl të dorës një qytetar në Skenderaj

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë raportuar dy raste të plumbave qorr që kanë ndodhur në dy qytete të ndryshme të Kosovës.

Në Skenderaj, një burrë ka raportuar se derisa ishte duke qëndruar në një lokal është goditur në bërryl të dorës. Policia dyshon se është goditur nga një plumb qorr.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në sheshin “Adem Jashari”, më 31.07.2024, rreth orës 20:35.

“Viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë” – kanë njoftuar Policia, më 01.08.2024.

Rasti i dytë është raportuar të ketë ndodhur në Mitrovicë të Jugut, ku një grua ka raportuar se nga një plumb qorr i është dëmtuar xhami i veturës që e kishte të parkuar para banesës së saj.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Fadil Deliqi”, më 31.07.2024, rreth orës 21:16.

Në këtë rast, nuk raportohet për të lënduar.

Ndërsa, të dy rastet janë inicuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe janë duke u hetuar.