Ilustrim
Dy raste të dhunës në familje të raportuara në 24 orët e fundit
Vetëm dy raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës.
Njëri nga këto raste ka ndodhur në Podujevë e tjetri në Pejë, teksa në të dy rastet viktima janë gratë, të cilat i kanë raportuar bashkëshortët e tyre në Polici.
Sipas Policisë, në rastin në Podujevë që ka ndodhur më 18.11.2024 në 14:00, viktima ka raportuar se bashkëshorti i saj në vazhdimësi është duke shkaktuar dhunë psikike ndaj saj.
Madje, viktima raportoi se njëkohësisht i dyshuari është duke i bërë presion që në gjykatë të dëshmojë në favorin e të dyshuarit.
PK tha se në konsultim me prokurorin dhe me dëshirën e saj, viktima është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa rasti në Pejë, përpos si dhunë në familje është iniciuar edhe si kanosje. Policia tha se rasti që ka ndodhur më 18.11.2024 në ora 11:30. Sipas Policisë, viktima ka raportuar se bashkëshorti i saj në vazhdimësi i ka shkaktuar dhunë psikike, njëkohësisht e ka kanosur për ta larguar nga shtëpia.
Sipas raportit, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.