Dy punëtorë teknik suspendohen nga puna, nuk pranuan të ndezin kaldajën e shkollës me arsyetimin se nuk e kanë obligim me kontratë

Dy punëtorë teknik janë suspenduar nga puna në shkollën fillore “Hajriz Muahdini” në fshatin Dremjak të Ferizajt. K. V. dhe A. B. janë larguar nga puna për një muaj nën arsyetimin se nuk kanë pranuar të ndezin kaldajën e shkollës.

Më 7 dhjetor 2022, komisioni disiplinor i krijuar nga Drejtoria e Arsimit ka marrë vendimin për suspendim me arsyen se punëtorët kanë shkelur kontratën e punës dhe nuk kanë zbatuar detyrat e drejtorit të shkollës.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kushtrim Avdija, drejtori i shkollës “Hajriz Muahdini”, por i njëjti nuk ka pranuar të prononcohet për këtë çështje.

Punëtorët teknik nuk kanë pranuar që të bëjnë ndejzën e kaldajës që nga fillimi i sezonës dimërore, KALLXO.com merr vesh se arsyeja e mos pranimit e kryerjes së kësaj detyre ka ardhur me arsyetimin se kjo është rregulluar me kontratë e punës.

KALLXO.com merr vesh se punëtorët kanë pretenduar se puna e tyre nuk ka të bëjë me ngrohjen e shkollës dhe se kjo është punë e foksitit.

Bashkim Bytyçi, kryetari i Komisionit nga Drejtoria e Arsimit ka thënë për KALLXO.com se në rast se punëtorët nuk kthehen në punë atyre do të iu shkëputen kontratat e punës.

“Ne i kemi lutë për dy muaj që me ndez kaldajën, ndërsa ata po pretendojnë diçka trjetër dhe e vetmja zgjidhje ka qenë me i suspendu për një muaj. Punëtorët janë të suspenduar nga puna deri më 7 janar dhe nëse nuk kthehen në punë ne detyrohemi që me e shkputë kontratën e punës”- ka thënë Bytyçi.

Dy punëtorët kanë dërguar ankesë në Inspektoratin e Punës (IP) nën pretendimin se më kontratën e punës nuk është e rregulluar çështja e ndjezjes së kaldasë.

KALLXO.com ka sigurar vendimet e Inspektoratit të Punës në të cilën DKA-ja është dënuar me 1600 euro gjobë.

Në vendimin e datës 30 nëntor 2022 thuhet se: “Duke u bazuar në shqyrtimin e provave, konstatohet se nuk është kontestues fakti se punëdhënësi DKA, ka formalizuar kontratën e punës me punonjësit ankues për ushtrimin e detyrave të pastruesit, dhe sipas gjendjes faktike punonjësve u është kërkuar që të kryejnë punë dhe detyra tjera të punës në kundërshtim me pozitën e punës”.

Pas këtij vendimi, DKA ka ushtruar ankesë kundër Vendimit pranë Organit të Shkallës së Dytë në IP dhe është shfuqizuar vendimi paraprak i Inspektoratit të Punës.

“Inspektori i lëndës në Vendimin Nr.43-1/22, ka konstatuar shkelje të nenit 56 Ligjit Nr.03/L-212, duke vlerësuar se punëdhënësi nuk ju ka paguar punën shtesë punonjësve, referuar dispozitës së lartëcekur dhe pretendimeve ankimore në rastin konkret kemi aplikim të gabuar të dispozitës ligjore në shqiptim të masës ndëshkuese sepse dispozita në fjalë i referohet pagës shtesë në përqindje të pagës bazë, për orët jashtë orarit të rregullt, orët e kujdestarisë, fundjavës dhe ditëve të festave, etj”- thuhet në vendim të IP-së.

Dy punëtorët teknik janë të suspenduar nga puna deri më 7 janar 2023 dhe pritet që punën ta fillojnë më datën 10 janar 2023.