Dy projekte pritet të nisin në Ferizaj, pallati i kulturës dhe stadiumi i ri, Fotografi:MKRS

Dy projekte pritet të nisin në Ferizaj, Pallati i Kulturës dhe stadiumi i ri

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi sot së bashku me kryetarin e komunës së Ferizajt, Agim Aliu, janë pajtuar të fillojnë procedurat për projektin e ndërtimit të stadiumit të ri në Ferizaj dhe vendosjen e gurthemelit të pallatit të kulturës.

Sipas njoftimit të MKRS-së në kuadër të sportit do të investojnë në projektin e  palestrës sportive në Greme të Ferizajt, kompleksin e fushave të tenisit, pishinën gjysmë-olimpike.

“Bashkë me kryetarin Aliu u pajtuam që të nisim procedurat për projektin e ndërtimin të një stadiumi të ri të Ferizajt. E dimë që është stadiumi i vjetër është në Ferizaj dhe ne do të mundohemi që të punojmë edhe aty ashtu që t’u japim mundësi sportistëve dhe komunitetit që të zhvillojë gara. Por është vlerësim dhe kërkesë e Ferizajt që të ndërtohet stadiumi i ri me standarde ndërkombëtare”, ka thënë Dumoshi, shkruan MKRS.

Ndër të tjerash, thuhet se Dumoshi dhe Aliu kanë diskutuar për mundësinë e futjes së festivalit të këngës “Kosovarja këndon” në kuadër të trashëgimisë shpirtërore.

Ndërkaq, në 50 vjetorin e teatrit të Ferizajt që po shënohet sivjet, ministrja ka thënë se objekti i teatrit do të restaurohet me përkrahje të ministrisë.