Dy presidentët shqiptarë urojnë Kadarenë për ditëlindje

Sot, shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, ka mbushur 84 vjet.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e kanë uruar shkrimtarin Kadare.

“Gjeniu i letrave dhe i mendimit shqiptar, simboli i vokacionit tonë perëndimor, Ismail Kadare, kolosi krijues me përmasa botërore, që na bën krenar të gjithëve, feston sot 84-vjetorin e lindjes”, thuhet në postimin Presidentit Meta.

“Në këtë datë të shënuar, jo vetëm për të dhe familjen e dashur Kadare, por për mbarë kombin shqiptar, i shpreh shkrimtarin tonë Ismail Kadare, urimet më të përzemërta, shëndet e jetë të gjatë dhe suksese të reja në krijimtarinë e tij të ndritur”, thuhet në fund të urimit të presidentit Meta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka thënë se Kadare ka luajtur rol kyç në formimin estetik të kombit shqiptar.

“Sot e ka datëlindjen gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, prandaj është gëzim i veçantë ta uroj kolosin e letërsisë shqiptare në 84 vjetorin e lindjes. Ismail Kadare ka luajtur rol kyç në formimin estetik dhe stilistik të mbarë kombit, në lëvrimin dhe sofistikimin e gjuhës shqipe dhe në promovimin e kulturës shqiptare në botë. I uroj jetë të gjatë!”, thuhet në postimin e tij.