Ilustrim

Dy policët në Kllokot dyshohet se nuk i përfshinë në deklaratë kërcënimet e kryetarit të Komunës ndaj një personi

Gjatë ditës së sotme Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të stacionit policor të Kllokotit.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Policisë se dy zyrtarët policorë I.S., dhe J.S. kanë keqpërdorur detyrën pasi dyshohet se nuk kanë ndërmarrë veprime hetimore ndaj disa personave, përfshirë edhe kryetarin e Kllokotit.

Siç mëson KALLXO.com, ankuesi ishte nisur drejt stacionit policor për të raportuar disa kërcënime duke përfshirë edhe kërcënimet që ai pretendonte se i kishte nga kryetari i Komunës së Kllokotit..

Burimet tregojnë se dy zyrtarët policorë dyshohet që përveç pjesës së kërcënimit nga kryetari i Kllokotit të cilën nuk e kishin përfshirë në deklarim të ankuesit, e kishin ndryshuar atë dhe përshtatur në favor të personave ndaj të cilëve ishte bërë denoncimi.

Inspektorati Policor i Kosovës gjatë ditës së sotme ka njoftuar se informatat e para për rastin në Kllokot i kanë marrë përmes “linjës së kaltër”.

Pas marrjes së të gjitha këtyre informacioneve menjëherë ka nisur verifikimi i të dhënave dhe më pas është iniciuar edhe rasti si keqpërdorim i detyrës zyrtare me urdhër të prokurorit të shtetit.

Rasti është trajtuar nga Prokuroria e Gjilanit.

Gjithashtu IPK, siç mëson KALLXO.com, ka bërë edhe sekuestrimin e telefonit të policit I.S.

IPK ka rekomanduar që dy zyrtarët policorë të suspendohen për 72 orë.

Në anën tjetër rastin e ankuesit për kërcënimin është duke e trajtuar Njësiti i Hetimeve Rajonale të Gjilanit.

IPK rekomandon suspendimin e tre policëve, suspendohen dy prej tyre