Ilustrim

Dy policë dyshohet se i shkaktuan lëndim të lehtë trupor një personi, Inspektorati rekomandon suspendimin e tyre

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se i ka rekomanduar Policisë suspendimin e dy zyrtarëve policorë.

Dy policët, sipas njoftimit të IPK-së, dyshohen se jashtë detyrës zyrtare janë përfshirë si të dyshuar për veprën penale – lëndim i lehtë trupor.

“Informatat e para për këtë rast IPK i ka pranuar nga policia lidhur me dyshimin se dy zyrtarë policorë  jashtë detyrës zyrtare cjanë të përfshirë si të dyshuar për veprën penale lëndim i lehtë trupor” – ka thënë IPK.

Tutje është treguar se incidenti raportohet të ketë ndodhur dje në një fshat të komunës së Vushtrrisë kurse ankuesi në këtë rast është intervistuar nga hetuesit e IPK-së.

IPK ka thënë se hetuesit e tyre në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.