
Durrës, Shqipëri. Foto: KALLXO.com
Dy persona rrezikuan të fundoseshin në Durrës pas probleme me gomone, policia jep detaje- Video
Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, dy persona kishin kërkuar ndihmë pasi kishin rrezikuar fundosjen në afërsi të gjirit të Durrësit pas defektit që kishte gomonia e tyre.
Policia e Shtetit ka njoftuar se mjeti lundrues i dy personave kishte pësuar defekt ndërsa ekipet e njësisë detare u ishin vënë në ndihmë menjëherë.
“Rreth orës 04:00, të mëngjesit të sotëm, gjatë patrullimeve në të gjithë hapësirën detare të qarkut, shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë konstatuar në afërsi të gjirit të Durrësit, 2 shtetas që kërkonin ndihmë, pasi rrezikonin të fundoseshin, për shkak se mjeti i tyre lundrues gomone kishte pësuar defekt”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Sapo i kanë hasur dy qytetarët, shërbimet e Njësisë Policore Detare, me mjet lundruese, iu kanë shkuar në ndihmë të njëjtëve dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, në gjendje të mirë shëndetësore.
“Gjithashtu, është tërhequr në breg, mjeti lundrues që kishte pësuar defekt”- thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Shtetit.