Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Dy persona dorëzuan armën në Policinë e Ferizajt, thanë se ia morën të dyshuarve me të cilët u përleshën

Një armë e zjarrit është dorëzuar më 17.09.2024, në stacionin policor në Ferizaj nga dy persona që u cilësuan si dëshmitarë.

Sipas Policisë, këta të fundit thanë se armën ia morën dy personave të tjerë të dyshuar me të cilët paraprakisht kishin një përleshje.

Sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës, dy të dyshuarit tjerë ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

“Në stacion janë paraqitur dy dëshmitarët të cilët kanë raportuar se në veturë kanë një armë zjarri pistoletë të cilën sipas tyre gjatë përleshjes me dy persona të tjerë, ia kanë marrë armën nga dora” – thuhet në raportin e PK-së.

Policia fillimisht kishte marrë një raportim për gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Dimitrije Tucoviq”, aty ku njësiti policor në vendin e ngjarjes kishte hasur vetëm në një thikë.

Teksa më pas dy dëshmitarët ishin paraqitur në stacion policor.

Policia njoftoi se rasti është iniciuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ndërsa arma është konfiskuar me nëntë fishekë dhe një mjet i mprehtë.