Dy persona dërgohen në Stacionin Policor në Leposaviq, lirohen pas verifikimit

Policia e Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se, më 04.02.2025, dy qytetarë të nacionalitetit serb janë dërguar në Stacionin Policor në Leposaviq e pas verifikimit janë liruar.

Zëvendëskomandanti i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani tha se nuk bëhet fjalë për arrestime.

“Jo, nuk i kemi arrestuar. Kemi verifikuar 2 persona edhe janë liruar. Ne i kemi marrë. I kemi dërguar në Stacion. U kemi kërkuar dokumentet dhe i kemi verifikuar dhe pastaj i kemi liruar.” – tha Veton Elshani për KALLXO.com.

Ndërkohë, politikani serb Aleksandër Arsenijeviq përmes një postimi në Facebook tha se personat ishin arrestuar, meqë Policia i konsideroi si “të dyshimtë”.

Ai thotë se personat u liruan pas një proteste para Stacionit Policor.

“Aleksandër Tanaskoviq dhe Millosh Millojeviq u arrestuan sepse dyshohet se ishin ‘të dyshimtë’. U liruan pasi protestuam. Ky është një demonstrim i pastër i pushtetit mbi popullin serb. Ne do të mbrojmë secilin nga qytetarët tanë!” – tha në postimin e tij, Aleksandër Arsenijeviq.